Kosova

Kosova pa injeksionin kryesor për të trajtuar çrregullimin e trombociteve, MSH-ja fajëson operatorët


Foto: Albanian Post.

Trajtimi i sëmundjes, “Trombocitopenia” – sëmundje e gjakut e shoqëruar nga prania e paktë e trombociteve, e cila shkakton rënien e numrit të pllakëzave të gjakut në një nivel kritik trajtohet përmes produktit “Romiplostim”, por që në Kosovë i njëjti s’mund të gjendet as në ndonjë klinikë, por as edhe në ndonjë farmaci.

Ndonëse ky injeksion i cili vepron për stimulimin e prodhimit të trombociteve në trup, duke parandaluar gjakderdhjen figuron në Listën Esenciale të Barnave që nga viti 2023, Ministria e Shëndetësisë akoma s’ka arritur që ta sigurojë atë.

Në një përgjigje për Albanian Post, ky institucion shëndetësor ka hedhur fajin tek operatorët ekonomik.

“Ministria e Shëndetësisë ka iniciuar procedurat e prokurimit për sigurimin e produktit “Romiplostim”, mirëpo nuk ka pasur ndonjë ofertë nga operatoret ekonomik. Kështu që, ky aktivitet do të ri iniciohet përsëri me qëllim të sigurimit të këtij ilaçi”, ka deklaruar MSH-ja për Albanian Post.

Përfshirja e ineksionit “Romiplostim” në Listën Esenciale të Barnave nga Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit të fundit.

Meqë, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është institucion publik i sigurimit shëndetësore që siguron grumbullimin efikas dhe transparent të mjeteve financiare për sigurimin shëndetësor të obligueshëm – kur trajtimi shëndetësor i pacientëve s’mund të bëhet në Kosovë, Albanian Post ka dërguar pyetje për t’u informuar për numrin e pacientëve që kanë kërkuar të trajtohen jashtë vendit për këtë sëmundje.

Nga ky institucion kanë theksuar se deri në periudhën kohore të këtij viti ndihmë për trajtimin mjekësor të kësaj sëmundje jashtë vendit kanë kërkuar dy persona.

“Lidhur me interesimin tuaj, ju njoftojmë se në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, në kuadër të Programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP), janë evidentuar dy raste me diagnozë Trombocitopeni Idiopatike, për mbështetje financiare”, thuhet në përgjigjen e Fondit për Albanian Post.

Në Kosovë, s’ka statistika të sakta se sa është numri i personave që vuajnë nga çrregullimet e trombociteve.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në maj të 2023-së bëri të ditur se Lista e Barnave Esenciale është zgjeruar me rreth 70 lloje të reja të barnave.

Vitia tha se nga këto produkte do të përfitojnë qytetarët që ballafaqohen me sëmundje të ndryshme, në vitin 2023 ai tha se buxheti për listën esenciale të barnave do të jetë 60 milionë euro.

Kurse për vitin 2024, buxheti për shëndetësinë kap shifrën prej 345 milionë euro, që nga paslufta ky buxhet është konsideruar si më i larti dedikuar këtij sektori.

Edhe për këtë vit nga ministri ishte thënë se rritja të buxhetit do të ketë edhe për Listën e Barnave Esenciale.

Institucionet shëndetësore të Kosovës kanë vazhdimisht ankesa për mungesë barnave nga Lista Esenciale, si dhe të materialeve shpenzuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore