Përballje

Scudetto ‘shkon’ në Milano, kampioni vendoset sot


Këtë të dielë rreth orës 20:00 do të mësohet kampioni në Serie A për sezonin 2021/22.

Dy skuadrat që janë në garë për ta fituar Scudetto-n, janë Milan-i dhe Inter-i, të cilat do të zbresin në fushë me fillim nga ora 18:00.

Megjithatë, gjithçka në dorë e ka ekipi i Milan-it, të cilët aktualisht mbajnë vendin e parë në tabelë me 83 pikë, dy më shumë se ndjekësit e Inter-it.

Kuqezinjtë në ndeshjen e sotme do të përballen në udhëtim me Sassuolo-n, derisa atyre do t’iu nevojitej vetëm një barazim, për të siguruar titullin kampion, i cili i mungon që 11 vite.

Pra, në Itali vlejnë ndeshjet e ndërsjella dhe Milan-i ka bilanc më të mirë se rivali lokal e kjo bën që kuqezinjtë me pikë të barabarta të shpallen kampion.

Për ndeshjen me Sassuolo-n, thuhet se i gjithë stadiumi do të mbushet me tifozë të Milan-it, të cilët posedojnë rreth 18 mijë bileta, nga 21 mijë të mundshmet.

Pra, një interesim i jashtëzakonshëm, ku raportohet se shitja e biletave në tregun e dytë ka shkuar deri në 3 mijë euro për një vend në stadiumin “Reggio Emilia” të Sassuolo-s.

Ndërsa për Sassuolo-n, kjo ndeshje do të jetë vetëm për statistika, pasi që ata tashmë nuk kanë asnjë objektivë për këtë sezon.

Në anën tjetër Inter-i synon të marrë fitore ndaj Sampdoria-s në shtëpi dhe të shpresojë në humbjen e Milani-t për të festuar titullin, që do të ishte i dyti radhazi për ta.

Sa i përket Evropës tanimë janë përcaktuar skuadrat ku Napoli dhe Juventus do të luajnë në Ligën e Kampionëve, e Roma me Lazio-n do të përfaqësojnë Italinë në Ligën e Evropës.

Derisa, edhe skuadra e Fiorentina-s e ka siguruar pjesëmarrjen në Evropë, pasi do të luaj në Ligën e Konferencës.

Ndërkohë mbetet e hapur gara edhe për mbijetesë, ku Salernitana dhe Cagliari po luftojnë për t’iu shmangur rënies.

Salernitana synon fitore ndaj Udineses në shtëpi për të shpëtuar, në anën tjetër Cagliari do të kërkojë fitore në udhëtim te Venezia dhe pret gabimin e Salernitanës për të siguruar mbijetesën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore