Euro 2020

Sa do të jetë kostoja klimatike e Euro 2020?


UEFA Euro 2020 premton të jetë një turne ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim vitet e kaluara. Një turne i organizuar në 11 shtete të ndryshme, çka e përbën atë turneun e parë në historinë e futbollit që zhvillohet në kaq shumë vende.

Por, çdo gjë e ka një kosto dhe Euro 2020 koston e saj pritet ta ketë edhe mbi klimën.

Cilat janë shqetësimet kryesore mbi klimën dhe lidhja me Euro 2020?

Nga Sevilja në perëndim deri në Baku në lindje, janë 4 mijë e 766 kilometra. Një distancë e konsiderueshme që do të kryhet me linja ajrore, si për lojtarët, ashtu edhe për tifozët që do të ndjekin ekipet e tyre.

Kufizimet e Covid-19, normalisht kanë ulur vëllimin e trafikut ajror, në krahasim me atë çfarë u mendua në fillim, ku u vlerësua se mund të kishte deri në dy milionë udhëtime përgjatë turneut.

Ekspertët e klimës dhe aktivistët flasin për “ngrohjen globale” si pasojë e gazeve serë dhe kanë paralajmëruar se një ngrohje e tillë do të ishte katastrofike për planetin, ndaj bëjnë thirrje për të zvogëluar në maksimum fluturimet ajrore.

Sipas “Carbon Brief”, aviacioni kontribuon vetëm me 3.5% të emetimeve globale të karbonit në botë, por vetëm një përqindje e vogël e botës fluturon shpesh dhe praktikisht u bie atyre një përgjegjësi për këto emetime.

Për shembull një njeri që udhëton nga Londra për në Nju Jork kontribuon në 11% të emetimeve mesatare vjetore të karbonit për dikë që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, por kjo gjithashtu është afërsisht e njëjtë me emetimet vjetore të një personi që jeton në Gana.

Distanca të mëdha, emetime të larta

Kampionatet e mëparëshme Europiane janë organizuar në një ose dy vende, që do të thotë se distancat nuk kanë qenë të gjata dhe emetimet e dioksidit të karbonit (CO2)  kanë qenë të kufizuara. Gjithashtu, transporti në këto raste është mbuluar me mënyra të tjera udhëtimi, siç janë trenat.

Por, çfarë do të ndodhë me distancat në Euro 2020?

Nëse një tifoz i Zvicrës do të udhëtonte për të ndjekur të gjitha ndeshjet e kombëtares së tij, atëherë atij do i duhej të shkonte në Romë, Amsterdam dhe Baku. Në total, distanca që do të përshkonte është 20 mijë e 377 kilometra. Një distancë e barabarate më ate nga Londra për në Nju Jork, së bashku me kthimin.

Por, nëse Zvicëra, në shembullin konkret shkon në finalen e Euro 2020, atëherë këtij tifozi zvicerian do i duhet të përshkojë në total rreth 21 mijë e 656 kilometra.

Por, edhe nëse nuk kalojnë fazën e grupeve, përsëri zvicerianëve do u duhet të përshkojnë më shumë kilometra se sa në Kampionatet Europiane të mëparëshme. Ata do të përshkojnë 13 mijë e 115 kilometra, ndërkohë që në Euro 1996, 2004, 2008 dhe 2016 nuk kanë përshkuar më shumë se 6 mijë e 750 kilometra.

Normalisht, nuk janë vetëm zvicerianët. Nga 22 skuadrat pjesëmarrëse që kanë qenë në një kompeticion Euro më parë, 13 prej tyre do të udhëtojnë më shumë se herët e kaluara në Euro.

Vetëm Anglia, Rusia, Italia, Danimarka, Hungaria dhe Holanda të cilat presin ndeshje të fazës së grupeve, duke shtuar edhe Francën do të kenë më pak kilometra për të udhëtuar se sa hera e fundit kur merrnin pjesë në një kompeticion Euro.

Skocia dhe Republika Çeke do të përshkojnë pothuajse të njëjtat distanca sa hera e fundit kur merrnin pjesë në Europian.

Për të para koston klimatike që do të kenë këto udhëtime, marrim përsëri shembullin e Zvicrës. Nëse, Zvicëra shkonë në çerekfinale dhe një tifoz e ndjek atë, atëherë kosto e udhëtimit të tij do të arrijë në rreth 4 tonë CO2. Kjo është e njëjtë me mesataren vjetore botërore të një personi dhe pak më pak se gjysma e një personi në botën perëndimore.

Kilometrat që do të udhëtojnë kombëtaret përgjatë Euro 2020 (me të kuqe) në raport me kilometrat e përshkuara në kompeticionet e mëparëshme Euro (me blu).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore