Lajme

Ryshfeti në spitalet e Kosovës, arrestohet edhe një mjek


Foto: Albanian Post.

Edhe një mjek është arrestuar si i dyshuar për marrje të ryshfetit, të hënën.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke thënë se ka nisur hetimet lidhur me këtë çështje penale.

”Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka urdhëruar ndalimin e personit me inicialet S.D., në cilësinë e mjekut në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

Më 30 prill, një anesteziolog dhe një kirurg u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Gjilanit si të dyshuar për marrje ryshfeti e vërtetoi edhe një herë që ryshfeti është fenomen shumë i pranishëm në institucionet shëndetësore të Kosovës.

Mjeku anesteziolog dyshohej se kishte kërkuar ryshfet në vlerë prej 100 eurosh për të kryer një ndërhyrje.

Një rast pothuajse i ngjashëm ishte edhe në muajin janar ku tre kirurgë ishin të përfshirë në një skandal të korrupsionit, të cilët dyshoheshin se kishin kërkuar para shtesë për të kryer operacione në këtë spital.

Si përcaktohet dënimi për veprën penale të ryshfetit?

Sipas juristit, Muhamet Kelmendi, sistemi juridik në Kosovë për këto raste kërkon “shërim juridik me masa penale”.

“Marrja e ryshfetit është vepër penale e sanksionuar me ligj. Me kodin penal ka përcaktime të ndryshme juridike për veprën e ryshfetit, si vepër është mjaft e dënueshme. Dënimet shkojnë nga dënimi me gjobë dhe deri tek dënimi me burg, ku mund të shqiptohet edhe dënimi me burg deri në 10 vjet”.

“Përveç kësaj konfiskohet pasuria e tundshme dhe e patundshme kuptohet nëse nuk ka mbulesë ekonomike ligjore”.

Ndër të tjera, Kelmendi në një përgjigje për Albanian Post sqaroi se përmes dyshimit të veprës penale së ryshfetit përcaktohet edhe ndalimi i ushtrimit të profesionit.

“Ky dënim fillon me muaj, me vjet e edhe me ndalim ushtrimin e profesionit për jetë. Lartësia e dënimit varet nga dëmi i shkaktuar, nga koha e zgjatjes së veprës, punë individuale a grupore e organizuar dhe nga shuma e marrë financiare apo të ndonjë pasurie tjetër të luajtshme ose të paluajtshme”.

“Duke u bazuar në elemente të veprës penale shqiptohet dënimi nga ana e gjykatës”.

Por, në Kosovë kryesisht nuk ndodhë asnjëra nga këto. Pa asnjë problem, mjekët dyshohen për vepra të tilla, por rikthehen sërish në pozita të njëjta.

Pas arrestimit të kirurgëve për marrje ryshfeti më 10 janar, ata ishin liruar më 11 janar duke u kthyer sërish në pozita të njëjta.

Kështu kishte bërë të ditur për Albanian Post zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni.

“Për njërin person të ndaluar, me iniciale E.S., Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, dhe seanca pritet të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. I ndaluari tjetër me iniciale A.L., është liruar dhe për të njëjtin do të vendoset në procedurë të rregullt”.

“Ndërkaq personi i tretë për këtë rast me iniciale I.Z., nuk është intervistuar ende pasi që ende nuk është arrestuar”, kishte thënë Preteni për AP.

Për dy mjekët të cilët u arrestuan me 30 prill, Gjykata Themelore në Gjilan ku marrë vendim për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Ryshfeti në spitalet e Kosovës, “fenomen shumë më i shpeshtë se sa e dihet aktualisht”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore