Lajme

Ryshfeti në spitalet e Kosovës, “fenomen shumë më i shpeshtë se sa e dihet aktualisht”


Foto: Albanian Post.

Të dëmtuar nga ky proces gjithmonë mbesin pacientët ata të cilët detyrohen të paguajnë dyfishin e faturës më shumë sesa që duhet.

Rasti i fundit i raportuar më 30 prill, ku një anesteziolog dhe një kirurg u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Gjilanit si të dyshuar për marrje ryshfeti e vërtetoi edhe një herë që ryshfeti është fenomen shumë i pranishëm në institucionet shëndetësore të Kosovës.

Bazuar në informacionet e deritanishme, mjeku anesteziolog dyshohej se kishte kërkuar ryshfet në vlerë prej 100 eurosh për të kryer një ndërhyrje.

Një rast pothuajse i ngjashëm ishte edhe në muajin janar ku tre kirurgë ishin të përfshirë në një skandal të korrupsionit, të cilët dyshoheshin se kishin kërkuar para shtesë për të kryer operacione në këtë spital.

Hulumtim ky i cili u raportua nga gazetari dhe njohësi i fushës së Shëndetësisë, Bujar Vitija.

Vitija, në një bisedë për Albanian Post, thotë se e vetmja mënyrë që një fenomen i tillë të ndalet, ose të paktën rastet e tyre të zvogëlohen, është që institucionet të trajtojnë këto raste dhe jo t’i lënë pas dore me dënime të vogla, ose t’i lëshojnë fare, sic ishte rasti i lirimit të menjëhershëm siç ishte ai në janar.

“Fatkeqësisht fenomeni i ryshfetit në spitalet e Kosovës është shumë më i shpeshtë sesa që publikohet ose dihet. Me këtë fenomen fillimisht duhet të merren vetë institucionet shëndetësore përmes mekanizmave të brendshëm që të parandalojnë mundësitë e ryshfetit ose korrupsionit në forma të ndryshme”, thotë Vitija.

“E më pas edhe organet tjera të drejtësisë duhet që t’i japin dënimet maksimale për këto raste e të mos parashkruhen ose të mbyllen rastet siç ka ndodh në të kaluarën”.

Por, Vitija një kërkesë të tillë e ka edhe për qytetarët të cilët hasin në raste të tilla t’i raportojnë në mënyrë që të merren vendime meritore.

“Gjithsesi duhet t’iu bëjmë thirrje edhe qytetarëve që t’i denoncojnë rastet sa herë që iu kërkohet ryshfet në çfarëdo forme nga personeli mjekësor. Kështu duke i raportuar rastet mund të krijojmë shërbime më të mira shëndetësore në të ardhmen”, thotë ai për Albanian Post.

Albanian Post ka kontaktuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me këto raste dhe masat të cilat janë në kompetenca të këtij dikasteri për t’u vendosur.

Por, që deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Si përcaktohet dënimi për veprën penale të ryshfetit?

Sipas juristit Muhamet Kelmendi, sistemi juridik në Kosovë për këto raste kërkon “shërim juridik me masa penale”.

“Marrja e ryshfetit është vepër penale e sanksionuar me ligj. Me kodin penal ka përcaktime të ndryshme juridike për veprën e ryshfetit, si vepër është mjaft e dënueshme. Dënimet shkojnë nga dënimi me gjobë dhe deri tek dënimi me burg, ku mund të shqiptohet edhe dënimi me burg deri në 10 vjet”.

“Përveç kësaj konfiskohet pasuria e tundshme dhe e patundshme kuptohet nëse nuk ka mbulesë ekonomike ligjore”.

Ndër të tjera, Kelmendi në një përgjigje për Albanian Post sqaroi se përmes dyshimit të veprës penale së ryshfetit përcaktohet edhe ndalimi i ushtrimit të profesionit.

“Ky dënim fillon me muaj, me vjet e edhe me ndalim ushtrimin e profesionit për jetë. Lartësia e dënimit varet nga dëmi i shkaktuar, nga koha e zgjatjes së veprës, punë individuale a grupore e organizuar dhe nga shuma e marrë financiare apo të ndonjë pasurie tjetër të luajtshme ose të paluajtshme”.

“Duke u bazuar në elemente të veprës penale shqiptohet dënimi nga ana e gjykatës”.

Por, në Kosovë kryesisht nuk ndodhë asnjëhra nga këto. Pa asnjë problem, mjekët dyshohen për vepra të tilla, por rikthehen sërish në pozita të njëjta.

Pas arrestimit të kirurgëve për marrje ryshfeti më 10 janar, ata ishin liruar më 11 janar duke u kthyer sërish në pozita të njëjta.

Kështu kishte bërë të ditur për Albanian Post zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni.

“Për njërin person të ndaluar, me iniciale E.S., Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, dhe seanca pritet të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. I ndaluari tjetër me iniciale A.L., është liruar dhe për të njëjtin do të vendoset në procedurë të rregullt”.

“Ndërkaq personi i tretë për këtë rast me iniciale I.Z., nuk është intervistuar ende pasi që ende nuk është arrestuar”, kishte thënë Preteni për AP.

Kurse, për dy mjekët të cilët u arrestuan të dielën e 30 prillit, Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra.

“Në lidhje me pyetjet e juaja për rastin në fjalë ju njoftojë se dje (01.05.2023), gjyqtari procedurës paraprake ka mbajtur seancën dëgjimore ndaj dy pandehurve H. B. dhe L. M. të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje marrja e ryshfetit, nga neni 421 paragrafi 2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ka deklaruar Shkodra për AP.

Teksa, kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ishte bërë nga Prokuroria.

Të dy të arrestuarit fillimisht ishin dërguar në ndalim prej 48 orësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore