Lajme

Dy kirurgët e dyshuar për marrje ryshfeti ndalohen për 48 orë


Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ndaluar për 48 orë dy mjekët e spitalit në Vushtrri të cilët dyshohen të kenë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media.

“Njëherit, prokurori i Shtetit njofton opinionin se ka urdhëruar policinë që të arrestojë edhe të dyshuarin – mjek të spitalit në Vushtrri, me iniciale I.Z., me dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, dhe posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të lëshohet vendimi për ndalim prej 48 orësh, po ashtu edhe për këtë të dyshuar do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së sigurisë”, vijon njoftimi.

Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri.

Edhe spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri kishte njoftuar se dy doktorë janë arrestuar pas pretendimeve se janë përfshirë në një aferë korruptive.

Në njoftim është bërë e ditur se të njëjtit janë suspenduar edhe nga puna.

Edhe Policia e Kosovës, të martën ka konfirmuar për Albanian Post se janë arrestuar dy kirurgë nën dyshimin për marrje ryshfeti, pas raportimeve se kishin marrë para për t’i kryer operimet.

“Mund të ju konfirmojmë se Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Mitrovice-Jugu, ka arrestuar dy persona me dyshimin e bazuar për marrje ryshfeti, përderisa personi i tretë mbetet në kërkim policor”.

Nga ky institucion është thënë se veprimet e tjera do të merren në koordinim me organet e drejtësisë.

Arrestimi i tyre vjen pas raportimeve të “Gazetës Shneta”, ku është thënë se tre kirurgët janë të përfshirë në një skandal të korrupsionit, të cilët dyshohet se kishin kërkuar para për të kryer operacione në këtë spital.

Ky rast, ishte iniciuar nga gazetari Bujar Vitija në Policinë e Kosovës më 3 tetor të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore