Kosova

Një muaj paraburgim për dy mjekët e arrestuar në Gjilan


Ilustrim.

Për dy mjekët të cilët u arrestuan të dielën e 30 prillit, Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra.

“Në lidhje me pyetjet e juaja për rastin në fjalë ju njoftojë se dje (01.05.2023), gjyqtari procedurës paraprake ka mbajtur seancën dëgjimore ndaj dy pandehurve H. B. dhe L. M. të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje marrja e ryshfetit, nga neni 421 paragrafi 2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ka deklaruar Shkodra për AP.

Teksa, kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ishte bërë nga Prokuroria.

Një anesteziolog dhe një kirurg janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Gjilanit si të dyshuar për marrje ryshfeti, të dielën e 30 prillit.

Sipas njoftimit të institucioneve, mjeku anesteziolog dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë prej 100 eurosh për të kryer një ndërhyrje.

Ndërkaq, mjeku kirurg dyshohet se lidhur me këtë ndërhyrje mjekësore kishte marrë 330 euro ryshfet dhe kishte kërkuar edhe 200 euro shtesë.

Të dy të arrestuarit ishin dërguar në ndalim prej 48 orësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore