Kosova

Rohde kërkon që të ndalohen deklaratat nxitëse nga Beogradi: Dialogu të vazhdoj


Ambasadori gjerman, Jorn Rohde.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka kërkuar që Beogradi të ndaloj deklaratat nxitëse duke thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë dhe të sjellë rezultate të prekshme.

Rohde, këtë deklaratë e bëri në një takim me të rinjtë e komuniteteve të ndryshme në Prishtinë për të përçuar një mesazh në drejtim të Beogradit pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator.

“Kemi parë shumë deklarata nxitëse, veçanërisht nga Beogradi. Kjo duhet të ndalet sepse nëse vazhdoni do të reagojnë edhe të tjerët. Ne kemi nevojë që dialogu të vazhdoj dhe të krijojë zgjidhje të prekshme tani dhe pas këtij takimi duhet të shkoj te komandanti i NATO-s, sepse kemi një takim tjetër”, deklaroi ai.

Sipas tij, kthimi në normalitet pas situatës në Veri që ishte të dielën e 24 shtatorit do të jetë i vështirë.

“Është mjaft e vështirë të kthehemi në normalitet pas këtij sulmi terrorist të së dielës, i cili gjithashtu ka pasoja të drejtpërdrejta. Shpresojmë se mund t’i minimizojmë ato në marrëdhëniet ndëretnike”.

“Shpresoj që të gjithë autorët e këtij sulmi të tmerrshëm të dalin para drejtësisë”.

Banjskë, 27.09.2023.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetarin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë.

Një ditë më pas, ministri i Brendshëm, publikoi një fotografi të një terroristi të vrarë dhe një dokument duke faktuar përfshirjen e Serbisë në rastin e sulmit të grupit terrorist.

Dokumenti, sipas tij vërteton, që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit terrorist lansuesin e granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.

Ndërsa fotografia i publikuar nga Sveçla, dëshmon se njëri nga terroristët serbë të vrarë në aksionin e Policisë së Kosovës të dielën ishte truproja e shefit të Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA), Aleksandër Vulin, gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2013.

Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore