Përballje

Rikthehet Superliga e Kosovës, Prishtina përballet me Dukagjinin


Pas pushimit për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare, sot (e premte) do të fillojë java e 14-të e BKT Superligës së Kosovës në futboll.

Dueli që do të hapë këtë xhiro, është ai mes kampionit Prishtinës, që do të presë në stadiumin “Fadil Vokrri” skuadrën e Dukagjinit, me fillim nga ora 13:00.

Prishtina vjen në këtë përballje me një ndryshim në stol, pasi që në vend të trajnerit tashmë të larguar, Zekirija Ramadani, bardhekaltrit do të udhëhiqen për herë të parë nga trajneri boshnjak Abdulah Ibrakovic.

Ramadani u largua nga posti i trajnerit pas një starti shumë të dobët me ekipin e Prishtinës.

Pas 13 ndeshjeve të luajtura, Prishtina pozicionohet në vendin e gjashtë në tabelë, me katër fitore, kundrejt po aq humbjeve dhe pesë barazimeve.

Derisa kundërshtari i sotshëm i saj, Dukagjini, pozicionohet dy vende më poshtë, me 17 pikë.

Sa i përket dueleve të ndërsjella, këto dy skuadra janë takuar edhe një herë në këtë sezon, ku kryeqytetasit e fituan duelin në udhëtim me shifrat 1:2.

Ndërkohë, në përballjet e vitit të kaluar, Prishtina fitoi dy takimet e zhvilluara në kryeqytet, derisa ndeshja e luajtur në Klinë, përfundoi pa gola.

Kur kanë kaluar 13 javë nga fillimi i këtij sezoni në elitën e futbollit kosovar, Ballkani i prinë tabelës me 24 pikë, i ndjekur nga Gjilani e Drita me nga 22, derisa në vendin e katërt gjendet Drenica me 20 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore