Përballje

Rikthehet BKT Superliga, në vëmendje derbi i Anamoravës


Java e 24-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll, do të vazhdojë edhe sot (e enjte) ku do të zhvillohen dy ndeshje.

Pa dyshim që e gjithë vëmendja do të jetë në Gjilan, aty ku në derbin e Anamoravës do të ballafaqohen Drita dhe Gjilani.

Një derbi që ka sjellë gjithmonë ndeshje shumë interesante, por këtë herë përballja mes dy ekipeve nga Gjilani, pritet të jetë më e zjarrtë.

Kjo pasi që të dy skuadrat janë duke luftuar për titull kampion, së bashku me Ballkanin.

Gjilani aktualisht renditet më mirë në tabelë me 46 pikë në vendin e dytë, dy më pak se lideri Ballkani, ndërsa Drita gjendet e treta me 41 pikë.

Ndeshja e sotme është e 39-ta mes tyre që zhvillohet në kampionat, derisa ato janë përballur edhe shtatë herë në Kupën e Kosovës.

Sa i përket përballjeve në ligë, Drita ka bilanc më të mirë, me 14 fitore, kundrejt 12 të Gjilanit, ndërsa 12 ndeshje kanë përfunduar në barazim.

Derisa edhe në ballafaqimet në Kupë, prinë Drita, të cilët kanë pesë fitore, kundrejt dy të Gjilanit.

Kurse, duhet theksuar se dy ndeshjet e këtij sezoni në BKT Superligë i fitoi Gjilani me rezultat 1:0 dhe 0:2.

Edhe dueli tjetër i ditës së sotme do të jetë mjaft interesant, ku Llapi do të presë në Podujevë Drenicën.

 

Llapjanët ishin duke kaluar në një formë shumë të mirë, të cilët humbjen e vetme të sezonit pranveror e pësuan në ndeshjen e fundit ndaj Ballkanit.

Ndërsa Drenica në ndeshjen e fundit mposhti Dritën me rezultat 2:1.

Sa i përket renditjes, Llapi pozicionohet në vendin e katër me 39 pikë, ndërsa Drenica gjendet në vendin e pestë me 31 pikë.

Dyja ndeshjet e ditës së sotme do të fillojnë në ora 13:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore