Sport

Remzi Ejupi thirrje ministres Haxhiu për parregullsitë në FFK: Reagoni – si mund të jetë kandidat një person i dënuar dhe me akuza si Agim Ademi?


Kandidati për të marrë drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Remzi Ejupi, ka apeluar drejt Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që t’i kushtojë vëmendje sportit, përkatësisht futbollit.

Kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi, ka shpallur zgjedhjet për kryetar, por njohës ligjor të sportit po i konsiderojnë këto zgjedhje të parregullta, për shkak se janë shpallur parakohe, pasi Ademit, i përfundon mandati në korrik, por ai ka vendosur të shpall zgjedhjet për kryetar më 6 prill.

Ademi së fundmi është akuzuar se ka kurdisur ndeshje gjatë një turneu në Turqi me Kosovën U21, por ai personalisht i demantoi këto akuza duke thënë se nuk kishte qenë President i FFK-së në vitin 2016, dhe se nuk ka qenë me ekipin në Turqi.

Kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi

Kandidati për kryetar të FFK-së, Ejupi i ka bërë thirrje ministres të reagojë për Kuvendin Zgjedhor që do mbahet këtë vit.

Ai më tej shtoi se Ademi nuk duhet të lejohet të kandidojë për kreun e FFK-së, pasi sipas Ejupit, ai është i dënuar dhe ka 3-4 aktakuza në emrin e tij.

“I bëj ftesë publike Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, që sa më parë të reagojë për Kuvendin Zgjedhor që do të mbahet gjatë këtij viti. Nuk e di se si mund të kandidohet një njeri si Agim Ademi që ka 3-4 aktakuza, madje edhe i dënuar. Dihet edhe aktakuza e rëndë që së fundmi është publikuar në medie në lidhje me kurdisjen e një ndeshjeje të Kosovës U-21. Kjo çështje duhet që të zbardhet sa më parë”, ka deklaruar presidenti Remzi Ejupi”, ka deklaruar presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi për “Zeri.info”.

Disa ditë më parë, Remzi Ejupi kishte deklaruar se do të largohet nga posti i presidentit të Prishtinës, dhe do kandidojë për postin e presidentit të FFK-së.

Kandidati për kryetar të FFK-së, Remzi Ejupi

Për 18-vite si president i klubit, Ejupi ka pasur shumë suksese me Prishinën, por ai ka vendosur t’i jap fund këtij rrugëtimi dhe të kandidojë për kryetar të FFK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore