Përballje

Real Madrid bënë hap fals në garën e ashpër për titull në La Liga


Gara për titull kampion në La Liga, po bëhet ndër më interesantet në këto vitet e fundit të futbollit spanjoll.

Këtë jave, skuadra e Real Madrid ka bërë një hap mbrapa për titull kampion në ligën spanjolle, pasi që nuk arriti më shumë se një barazim pa gola, në udhëtim të skuadra e Getafe.

Madje “mbretërit” mund të llogariten shumë me fat që morën një pikë kundër Getafes, pasi që vendasit shpërdoruan shumë raste shënimi.

Madrilenët me pikën e marrë ndaj Getafes, mbeten tre pikë larg nga lideri aktual i La Ligës.

Ndërsa skuadra tjetër nga kryeqyteti spanjoll, Atletico Madrid, deklasoi ekipin e Eibar me rezultat 5:0, duke përforcuar vendin e parë në tabelë.

Angel Correa dhe Marcos Llorente me nga një dygolësh dhe Carrasco me një, i dhuruan fitore fantastike Atleticos duke u shkëputur tre pikë nga rivalët e qytetit Real Madrid.

Rivali tjetër për titull kampion në La Liga, Barcelona, nuk zhvilloi ndeshje këtë javë për shkak që luajti në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Atletico Bilbaos, të cilën e fitoi me rezultat 4:0.

Pra, “blaugranat” me një ndeshje më pak të zhvilluar, mbesin në pozitën e tretë me pesë pikë larg nga Atletico, dhe dy më pak se Reali.

Kandidat tjetër për titull, mund të konsiderohet gjithashtu edhe Sevilla, që fitoi në udhëtim ndaj Real Socideadit me rezultat 1:2.

Andaluzianët kanë hyrë në formë të mirë, të cilët në gjashtë ndeshjet e fundit, kanë fituar pesë dhe barazuar një, madje gjatë kësaj periudhe kanë mposhtur edhe liderin aktual, Atletico Madrid.

Pra, gara shumë interesante për titull kampion në La Liga mbetet të shihet në shtatë xhirot e ardhshme, që premtojnë spektakël dhe emocione.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore