Lajme

Raporti i UNDP-së – qytetarët janë vetëdijesuar, të pakënaqur me punën e Qeverisë


Ilustrim: Glauk Konjufca, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Raporti i fundit gjashtëmujor i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka vënë në pah një ulje të kënaqshmërisë së kosovarëve në raport me punën e krerëve institucional, gjë që, sipas analistëve politikë është tregues i vetëdijesimit të qytetarëve kundrejt mos-punës së shtetarëve.

Matjet e fundit të pulsit publik të cilat janë bërë për periudhën prill – nëntor të vitit 2023 kanë konstatuar se kënaqshmëria e qytetarëve me punën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrit, Albin Kurtit e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës, ka rënë për disa pikë.

Për ish-zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Anton Berisha, matjet publike të UNDP-së, duhen lexuar në një formë të vetme – qytetarët janë të pakënaqur me punën e Qeverisë së Kosovës.

“Këto matje janë tregues i vetëdijesimit të qytetarëve, ndonëse me ritëm tepër të ngadalshme, se këta udhëheqës nuk janë sjellë në përputhje me premtimet e tyre që të jenë në shërbim të shtetit, por në shërbim të ambicieve të tyre personale dhe politike”, ka potencuar Berisha për Albanian Post.

Në vlerësimin e ish-ambasadorit Berisha, raporti i UNDP-së shpërfaq faktin se Qeveria e Kosovës ka dështuar në shumë parametra që nga politika e brendshme deri të ajo në diplomacie.

Në të njëjtë linjë të mendimit është edhe ligjëruesi universitar, Dritëro Arifi, i cili potencon se rënia e kënaqshmërisë së qytetarëve në raport me punën e krerëve institucional është rezultat i mos-prodhimit të politikave nga ana e Qeverisë së Kosovës të cilat do të shërbenin në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Çdo vit që kalon kjo qeverisje, në këtë formë si po qeverisë, do të ketë edhe më shumë rënie”, ka pohuar ai për Albanian Post.

Marrë për bazë shifrat e varfërisë dhe të papunësisë të shpalosura në këtë raport, Arifi, konsideron se ato janë jashtëzakonisht alarmante dhe brengosëse për qeverinë aktuale.

“Nëse qytetari nuk ka një mirëqenie, çfarëdo politike që mund të prodhojë Qeveria mund të jenë dështim, qeveria duhet të prodhojë politika pozitive dhe reforma serioze që e prekin mirëqenien e qytetarëve”, ka potencuar tutje Arifi, meqë në vlerësimin e tij qytetarët janë të ngopur me fjalë boshe dhe presin veprime konkrete.

Nga matjet e fundit të opinionit publik, sipas Viona Bunjakut, nga Lëvizja Fol, mund të vërehet se qytetarët kanë filluar të kuptojnë se jo shumë punë dhe procese të premtuara nga Qeveria e Kosovës janë përfunduar ashtu siç ishte premtuar.

“Normalisht kjo lidhet me shumë procese të rëndësishme, siç janë: dialogu politik, transparenca, llogaridhënia, përfaqësimi i jashtëm, fokusimi në realizimin e objektivave brenda shtetit”, ka potencuar ajo për Albanian Post.

Matjet e UNDP-së kanë konstatuar se kënaqshmëria e qytetarëve me punën e presidentes Osmani është 56.2 për qind.

Ky shifër në matjet paraprake ka qenë 60.3 për qind.

UNDP ka konkluduar se kënaqshmëria e qytetarëve me punën e kryeministrit Kurti ka rënë në 48.9 për qind, nga 51.5 për qind sa ka qenë në matjen paraprake të pulsit publik.

Rënia e kënaqshmërisë së qytetarëve është vërejtur edhe në raport me punën e kabinetit të kryeministrit.

Nga 45.8 për qind sa ka qenë në matjen e fundit, ky shifër ka rënë në 41.8 për qind, ka njoftuar UNDP.

Më së shumti rënie nga liderët shtetërorë ka përjetuar kryeparlamentari Konjufca.

Nga 58.3, kënaqshmëria për të ka rënë në 52.2 për qind.

Në anën tjetër matjet e pulsit publik të realizuara nga UNDP kanë shfaqur një rritje të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e Gjykatave dhe të Prokurorisë.

Gjykatat nga 29 për qind sa ishin në matjet paraprake, janë rritur në 29.3 për qind.

Ndërkohë, Prokuroria nga 29 është rritur në 30 për qind.

Pesë çështjet kryesore më të raportuara gjatë kësaj ankete, sipas UNDP-së, ishin varfëria, papunësia, çmimet për artikuj të domosdoshëm, shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe problemet e hapësirës urbane.

“Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike treguan se varfëria renditet si problemi kryesor për shqiptarët e Kosovës (28.6%) dhe komunitetet tjera të Kosovës (29.5%), ndërsa problemet e hapësirës urbane (19.5%) u renditën si problemi kryesor për serbët e Kosovës. Teksa papunësia ishte çështja e dytë më urgjente për 20.2% të shqiptarëve të Kosovës dhe 13.8% të serbëve të Kosovës, energjia elektrike u rendit e dyta për 14.5% të komuniteteve të tjera të Kosovës”.

Të dhënat e anketës të opinionit të nëntorit 2023, sipas UNDP-së, kanë treguar se 59.3 për qind e shqiptarëve të Kosovës dhe 32.4 për qind e serbëve të Kosovës besojnë (plotësisht ose disi) se Marrëveshja e Brukselit/Ohrit do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve të Kosovës.

Ndërsa 62.5 për qind e komuniteteve tjera të Kosovës besonin (plotësisht ose disi) se marrëveshja do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve të Kosovës.

Bie kënaqshmëria e kosovarëve me punën e Osmanit, Kurtit e Konjufcës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore