Kosova

Bie kënaqshmëria e kosovarëve me punën e Osmanit, Kurtit e Konjufcës


Ilustrim: Glauk Konjufca, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Matjet e fundit të pulsit publik të cilat bëhen çdo gjashtë muaj nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) vënë në pah një ulje të kënaqshmerisë së kosovarëve në raport me punën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, kryeministrit, Albin Kurtit dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës

Matjet e UNDP-së të cilat janë bërë për periudhën prill – nëntor të vitit 2023 kanë konstatuar se kënaqshmëria e qytetarëve me punën e presidentes Osmani është 56.2 për qind.

Ky shifër në matjet paraprake ka qenë 60.3 për qind.

UNDP ka konkluduar se kënaqshmëria e qytetarëve me punën e kryeministrit Kurti ka rënë në 48.9 për qind, nga 51.5 për qind sa ka qenë në matjen paraprake të pulsit publik.

Rënia e kënaqshmërisë së qytetarëve është vërejtur edhe në raport me punën e kabinetit të kryeministrit.

Nga 45.8 për qind sa ka qenë në matjen e fundit, ky shifër ka rënë në 41.8 për qind, ka njoftuar UNDP.

Më së shumti rënie nga liderët shtetërorë ka përjetuar kryeparlamentari Konjufca.

Nga 58.3, kënaqshmëria për të ka rënë në 52.2 për qind.

Për punën e Kuvendit të Kosovë, kënaqshmëria ka rënë në 38.7 për qind, nga 46.5 për qind sa ka qenë më herët.

Matjet e pulsit publik të realizuara nga UNDP

Matjet e pulsit publik të realizuara nga UNDP kanë vërejtur një rritje të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e Gjykatave dhe të Prokurorisë.

Gjykatat nga 29 për qind sa ishin në matjet paraprake, janë rritur në 29.3 për qind.

Ndërkohë, Prokuroria nga 29 është rritur në 30 për qind.

Pesë çështjet kryesore më të raportuara gjatë kësaj ankete, sipas UNDP-së, ishin varfëria papunësia dhe çmimet për artikuj të domosdoshëm, shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe problemet e hapësirës urbane.

“Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike treguan se varfëria u renditet si problemi kryesor për shqiptarët e Kosovës (28.6%) dhe komunitetet tjera të Kosovës (29.5%), ndërsa problemet e hapësirës urbane (19.5%) u renditën si problemi kryesor për serbët e Kosovës. Teksa papunësia ishte çështja e dytë më urgjente për 20.2% të shqiptarëve të Kosovës dhe 13.8% të serbëve të Kosovës, energjia elektrike u rendit e dyta për 14.5% të komuniteteve të tjera të Kosovës”.

Të dhënat e anketës të opinionit të nëntorit 2023, sipas UNDP-së, kanë treguar se 59.3 për qind e shqiptarëve të Kosovës dhe 32.4 për qind e serbëve të Kosovës besojnë (plotësisht ose disi) se Marrëveshja e Brukselit/Ohrit do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve të Kosovës.

Ndërsa 62.5 për qind e komuniteteve tjera të Kosovës besonin (plotësisht ose disi) se marrëveshja do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore