Lajme

Rama: Pas problemeve me ngrohje dhe energji, Termokos do të ofroj ngrohje me mazut


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në Termokos

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas problemeve me furnizim me ngrohje të qytetarëve në kryeqytet, ka vizituar të mërkurën e 15 dhjetorit Ndërmarrjen Publike “Termokos”, ku kanë marrë vendimin se kjo ndërmarrje do të shkoj me planin B për furnizim të qytetarëve me ngrohje.

Rama përmes rrjetit social Facebook ka thënë se së bashku me menaxhmentin e Termokos-it “Morëm vendimin e përbashkët që të futet në sistem opsioni B i ngrohjes, përmes ndezjes së mazutit”.

Rama, që pak ditë më parë morri postin e të parit të Prishtinës tutje ka shkruar se si Komunë do të jenë në “komunikim të vazhdueshëm me institucionet relevante dhe me qytetarët deri në rregullimin e problemit”.

Derisa nga Ngrohtorja Termokos, përmes një njoftimi u shprehen se “për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u, jemi detyruar që të ndërpresim furnizimin me ngrohje për gjithë konsumatorët”.

“Aktualisht, me ngrohje janë duke u furnizuar vetëm klinikat e QKUK-së nëpërmes ngrohtores, që gjendet në hapësirat e kësaj qendre spitalore”, duke mos dhënë saktësi se deri kur do të vazhdojë një gjendje e tillë nga ana e tyre.

Ndërprerja e furnizimit me ngrohje për kryeqytetin ka ardhur pasi që Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk ka arritur të siguroj për Termokos-in avull pasi njëri nga blloqet ka rënë nga sistemi.

Gjatë së hënës së 13 dhjetorit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se “kriza energjetike po na troket në derë dhe se Kosova po blen shtrenjtë rrymë dhe po ua shet atë shumë lirë qytetarëve”.

Ndërsa të martën e 14 dhjetorit, Qeveria e Kosovës përmes faqes së Ministrisë së Ekonomisë ka publikuar edhe një manualë se si të bëhet kursimi i energjisë elektrike nga secili qytetarë.

Shkollat dhe institucionet parashkollore në kryeqytet kanë marrë vendim që të punojnë me orar të përgjysmuar për dy ditë pasi që mungon ngrohja dhe energjia elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore