Lajme

Ndalet ngrohja në Prishtinë, KEK-u s’ka avull për Termokosin


Ndërmarrja Publike “Termokos” përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se është ndalur ngrohja për të gjithë konsumatorët për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u.

Sipas njoftimit, aktualisht, me ngrohje janë duke u furnizuar vetëm klinikat e QKUK-së nëpërmes ngrohtores, që gjendet në hapësirat e kësaj qendre spitalore.

“Kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve tanë deri në përmirësimin e situatës dhe rikthimit të furnizimit me ngrohje”, thuhet në njoftim derisa nuk ka dhënë afat se kur do të rregullohet ky problem.

Ndryshe Kosova ditëve të fundit po përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Ndërkaq të martën, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, teksa ka folur për furnizimin me energji eleketrike në Kosovë, ka thënë se situata mund të jetë më e rënduar gjatë ditëve në vijim.

“Një bllok i Kosovës B detyrimisht duhet të ndalet për të bërë riparime. Në tri ditët e ardhshme pritet që situata të jetë edhe më e rënduar”, tha Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

“Kemi pasë një situatë relativisht të mirë, duke qenë se deri nga fillimi i nëntorit jemi mbështetur kryesisht në kapacitetet e tona gjeneruese të KEK-ut dhe këto kanë mjaftuar për ta mbuluar kërkesën vendore”.

“Prej momentit kur ka filluar kriza të prekë vendet e rajonit e kemi përcjellë situatën. Kërkesat për subvencione janë të mëdha, me dhjetëra milionë euro. Po i shikojmë hapat e ardhshëm që efektet te konsumatorët, te buxheti, por edhe te financat publike të jenë sa më të ulëta. Kemi angazhuar një ekspert gjerman nga GIZ për intervenime më kreative që do të ndikonte në uljen e kërkesës për subvencione”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore