Lajme

Deri të enjten s’ka ngrohje për prishtinasit, KEK-u thotë se ka prishje


Korporata Energjetike e Kosovës

Korporata Energjetike e Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se deri të enjten në mëngjes s’do të krijohen kushtet për furnizim të Termokosit me avull për ngrohje qendrore , pak orë pasi ndërmarrja publike në kryeqytet njoftoi se ka ndërprerë ngrohjen.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se aktualisht në TC-Kosova A kemi një gjendje stabile, ku në punë janë të tri njësitë aktive (A3, A4 dhe A5) që prodhojnë rreth 390 MË/h. Ndërsa në Kosovën B, deri në mesnate sot ishte në punë njësia B1. Në këtë drejtim ju bëjmë me dije se për shkak të një rrjedhjeje në kaldajën e njësisë B1, ishim të detyruar të ndalim edhe këtë në mesnatë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

“Ekipet e specializuara kane filluar menjëherë përgatitjet për intervenim në sanimin e gjendjes. Sipas planeve njësia B1 pritet të kthehet në prodhim nesër në mëngjes, me 16.12.2021, kur edhe do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokosit me avull për ngrohje qendrore”.

Sipas Ndërmarrjes së Publike “Termokos”, aktualisht me ngrohje janë duke u furnizuar vetëm klinikat e QKUK-së nëpërmes ngrohtores, që gjendet në hapësirat e kësaj qendre spitalore.

“Kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve tanë deri në përmirësimin e situatës dhe rikthimit të furnizimit me ngrohje”, thuhet në njoftim derisa nuk ka dhënë afat se kur do të rregullohet ky problem.

Ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkruar në Facebook se “me shqetësim kam marrë informatën për ndërprerjen e ngrohjes për qytetarët e Prishtinës, të cilët kanë qasje në ngrohjen termike të Termokosit”.

“Jam në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse për zgjidhjen e situatës së krijuar. Ndërprerja e ngrohjes qendrore në Prishtinë, ka ardhur si pasojë e avarive në njësinë B1 të KEK-ut. Kam marrë siguri se kjo çështje do të rregullohet deri nesër”, ka shkruar Rama.

“Duke ju kërkuar mirëkuptim, ju siguroj se Komuna e Prishtinës po e trajton këtë çështje me seriozitet dhe do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm që varen nga ne”.

Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas ndërprerjes së ngrohjes për qytetarët e Prishtinës nga “Termokosi”.

“KMDLNj fton Qeverinë e Kosovës të merr masa të menjëhershme për stabilizim të furnizimit me ngrohje dhe rrymë në të kundërtën po krijohen kushte dhe masa kritike të shprehjes së pakënaqësisë sociale të qytetarëve përmes protestave masive, mospagesës së faturave pa iu kompensuar dëmet që iu shkaktohen në biznes dhe ekonomi familjare si dhe formave tjera të kundërshtimit”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore