Lajme

Prishtinë: Shkollat me orar të përgjysmuar – shkak, mungesa e ngrohjes dhe energjisë


Ilustrim - Klasa

Shkollat dhe institucionet parashkollore në Prishtinë që ngrohen nga ngrohtorja e qytetit “Termokos”, për shkak të mungesës së ngrohjes kanë vendosur që të punojnë me orar të përgjysmuar të mërkurën dhe të enjten.

Sipas njoftimeve të shkollave thuhet se për shkaqe teknike ne KEK dhe TERMOKOS, është ndërprerë furnizimi me ngrohje.

“Pikërisht për këtë arsye sot në ndërrimin e pasdites do të punohet me orar të shkurtuar”. Mësimi në orarin e pasdites do të “fillojë 13:10 dhe do të përfundojë në 16:05”.

Sipas një njoftimi në shkollën e mesme të ultë “Ismail Qemali” në Breg të Diellit thuhet se “edhe nesër me date 16.12.2021 shkolla nuk do të ketë energji elektrike nga ora 09:00 deri në 18:00”.

Shkolla e mesme të ulët, “Ismail Qemali” – Prishtinë

“Prandaj ne jemi të obliguar të punojmë me dy ndërrimet me orare të shkurtuar, pra mësimi me ndërrimin e paradites fillon në ora 7:30 dhe përfundon në ora 11:00. Ndërsa me ndërrimin e pasdites fillon në ora 13:10 dhe përfundon në ora 16:05”, thuhet në një njoftim të kësaj shkolle.

Kurse Ndërmarrja Publike “Termokos” përmes një postimi në Facebook ka njoftuar të mërkuren e 15 dhjetorit se është ndalur ngrohja për të gjithë konsumatorët për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u.

Sipas njoftimit, aktualisht, me ngrohje janë duke u furnizuar vetëm klinikat e QKUK-së nëpërmes ngrohtores, që gjendet në hapësirat e kësaj qendre spitalore.

“Kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve tanë deri në përmirësimin e situatës dhe rikthimit të furnizimit me ngrohje”, thuhet në njoftim derisa nuk ka dhënë afat se kur do të rregullohet ky problem.

Termokos

Kurse Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se deri të enjten në mëngjes s’do të krijohen kushtet për furnizim të Termokosit me avull për ngrohje qendrore , pak orë pasi ndërmarrja publike në kryeqytet njoftoi se ka ndërprerë ngrohjen.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se aktualisht në TC-Kosova A kemi një gjendje stabile, ku në punë janë të tri njësitë aktive (A3, A4 dhe A5) që prodhojnë rreth 390 MW/h. Ndërsa në Kosovën B, deri në mesnate sot ishte në punë njësia B1. Në këtë drejtim ju bëjmë me dije se për shkak të një rrjedhjeje në kaldajën e njësisë B1, ishim të detyruar të ndalim edhe këtë në mesnatë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

KEK

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore