Shqipëria

Rama: Afatet për rindërtimin u shtynë për shkak të pandemisë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të enjten e 28 tetorit në fjalën e tij gjatë seancës së radhës të Kuvendit, u ndal dhe te procesi i rindërtimit pas goditjes së tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Nga foltorja e Kuvendit, ai deklaroi se, afatet e përcaktuara për rindërtimin e godinave të prishur nga tërmeti, “janë shtyrë nga pandemia COVID-19”.

Po ashtu, kreu i qeverisë theksoi faktin se kantieret kanë qenë të bllokuar po për këtë arsye.

Ndërsa ndaj akuzave të deputetit të opozitës për Qarkun e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, Kryeministri tha se shkollat e rindërtuara kanë standarde, kritere dhe preventiva, që sipas tij janë zhvilluar si proces ndërtimi me gara.

Ferdinand Xhaferaj, deputet i PD-së për Qarkun e Durrësit

Duke e pyetur Xhaferajn për burimin e këtyre akuzave, Rama tha se numri i shtëpive të rindërtuara do të rritet brenda fundit të këtij muaji.

Ndër të tjera, ai shprehu mirënjohjen ndaj partnerëve që kanë kontribuar në ringritjen e Shqipërisë.

Dy vite më parë, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të parikthyeshme, ku humbën jetën rreth 50 qytetarë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Gjithashtu pati dhe dëme materiale, shumë ndërtesa u shembën, disa të tjera u kthyen në të pabanueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore