Zgjedhjet në Shqipëri

Qytetarët mund të ankohen në KQZ, por a do e bëjnë?


Shqiptarët do të kenë mundësi që në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, të ankimohen në KQZ për çështjet ligjore me natyrë administrative.

E miratuar në korrik të vitit 2020, kjo shtesë në kodin zgjedhor mund të shpalosë se sa realisht shqiptarët janë të angazhuar në proces.

Sipas nenit 123/3 të kodit, çdo person, i cili vjen në dijeni të fakteve ose rrethanave që përbëjnë shkelje të përcaktimeve ligjore me natyrë administrative ose penale sipas parashikimeve, ka të drejtë të informojë KQZ-në.

Në fakt, kjo nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një detyrim qytetar.

Më parë këtë proces e kryenin vetë subjektet politike. KQZ-ja, jo vetëm që siguron mbrojtjen e personave që do të kallëzojnë shkeljet, por ka miratuar edhe një model denoncimi. Kjo është bërë me qëllim lehtësimin e paraqitjes së informacionit nga publiku.

Teorikisht, do të jetë shumë e lehtë që qytetarët të denoncojnë shkeljet. Praktikisht, mbetet për t’u parë në varësi të ndërgjegjes individuale dhe kolektive.

Duke qenë se nuk ka precedentë të mëparshëm, nuk mund të hamendësohet një situatë reale mbi atë se si do të sillen qytetarët. E rëndësishme është që, tashmë, ligji i jep mundësinë individit, duke hequr ekskluzivitetin e partive politike për denoncim.

Me rikonceptimin e KQZ-së, çdo ankesë do të kalojë nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS). Kjo është avantazhuese, për shkak se procedurat do të jenë më të shpejta.

Teorikisht, sigurohet gjithashtu paanshmëri e trupës së KAS-it. Ky i fundit, ka në përbërje profesionistë në çështjet ligjore, edhe pse ata janë të zgjedhur nga Kuvendi.

Ankimi administrativ i palëve të treta

Nëse më parë palët e treta kanë luajtur thjeshtë rol vëzhgues dhe këshillues, në këto zgjedhje do të kenë mundësi edhe të ankimojnë në KAS. Madje, mund ta bëjnë këtë gjë edhe kundër akteve të komisionerit.

Pavarësisht se këto ankimime janë vetëm për çështje administrative, ky është një hap pozitiv që ndjek shembullin e vendeve si SHBA-ja apo Britania e Madhe.

Në 5 shkurt, u mbajt edhe një takim virtual midis përfaqësuesve të KQZ-së dhe organizatave të huaja në Shqipëri, pikërisht për të diskutuar mbi këtë çështje.

“Kemi pasur gjithnjë bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me organizatat joqeveritare të huaja”, pohon për Albanian Post, Drilona Hoxhaj, zëdhënëse për shtyp e KQZ-së. “Këtu përfshihet sigurisht edhe pjesa e ankimimit të qytetarëve dhe subjekteve. Ai implementohet për herë të parë në zgjedhjet e prillit”.

Në aspektin ligjor, organi zgjedhor ka arritur një bazë të mirë. Sigurisht, i ndihmuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe eksperiencat e tyre. Nëse më parë qytetarët nuk kishin mundësi ligjore për ankimim, sot tashmë ata e kanë. E njëjta gjë edhe për organizatat joqeveritare.

Pra, topi tashmë, është në fushën e qytetarëve. Votat po ashtu.

Nëse më parë detyrim moral ka qenë pjesëmarrja në votime, tashmë do të shtohet edhe një tjetër, ai i kallëzimit të çdo shkeljeje që evidentohet.

Me hapësirën e nevojshme për t’u vepruar, mbetet gjithçka te dëshira popullore për t’u dhënë fund zërave.

Vjedhjeve potenciale apo manipulimeve të votave, mund t’i vijë fundi nga vetë populli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore