Lajme

Quhet “hakmarrje politike” – Reagon shoqëria civile pas arrestimit të Molliqaj


Arrestimi i Dardan Molliqaj

Pas arrestimit të kreut të Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD), Dardan Molliqaj nga ana e Policisë së Kosovës, në hapësirat e mediumit T7 ku edhe ishte i ftuar në emisionin Pressing, ka reaguar shoqëria civile.

Publicisti Halil Matoshi i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të mos e ekspozoj policinë ku interpretohet si hakmarrje politike.

“Albin mos ekspozo policinë aty ku interpretohet si hakmarrje politike. Dardan Molliqaj nuk arrestohet në vendin e ngjarjes dhe në corpus delicti – gjatë protestës – por arrestohet në nji studio televizive, me njësi speciale ndonëse ai tânë ditën e lume shëtiten sa në zyrën e partisë së tij sa në kafenetë e kryeqytetit!?”.

Halil Matoshi, Publicist

Matoshi ka thënë se kjo është qasja selektive ndaj protokoleve të policisë.

Sipas tij pushteti po i shndrron policët nga gardianët e rendit në “polici të mendimit”.

Drejtori i televizionit KlanKosova, Adriatik Klemendi ka tërhequr një paralele kohore kur Molliqaj ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kur ishte në arrati, ndërsa jepte intervistë nga zyrat e LVV-së për media, ndërsa tani kur ai është në opozitë, arrestohet pa u lejuar të hyjë ne studio televizive.

“Kjo intervistë me Dardan Molliqajn është bërë në selinë qendrore të Vetëvendosjes! në kohën kur ai ishte në arrati për disa javë. Atëherë policia ishte më e ngadalshme”.

Molliqaj sa ishte Sekretar Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, në arrati, jepte intervista për media nga zyrat e LVV-së, thotë Adriatik Kelmendi- duke përcjellë një foto gjat një interviste nga arratia.

“Përndryshe, publikisht kam folur dhe kam shkruar se nuk pajtohem kur Dardani nxori një qytetar nga vetura, kur Dardani ia jepte policisë 15 minuta për të hapur rrugë, si dhe tash nuk pajtohem kur godet policinë”, ka shkruar ai në Facebook.

Kelmendi ka thënë se është shumë interesante të shihet reagimet e disa njerëzve “që atëherë e mbronin kurse të njëjtit sot e sulmojnë”.

Opinionisti Fitim Salihu ka thënë se ironikisht kryeministri, ministri i Infrastrukturës, ministri i Brendshëm dhe shumë zyrtarë të tjerë të pushtetit aktual kanë ushtruar dhunë verbale e fizike mbi Policinë e Kosovës duke e poshtëruar për 15 vite rresht, ndërsa në anën tjetër arrestohet Molliqaj.

“Nëse Policia dhe Prokuroria kanë vendos me vnu në vend nderin e Policisë, le t’i arrestojë edhe këta që e kanë dhunua dhe poshtërua Policinë para jo shumë viteve.”

Fitim Salihu, Opinionist

Sipas tij nëse e arrestojnë vetëm Dardan Molliqajn dhe nuk guxojnë me i arrestua këta që e kanë dhunua Policinë për 15 vite, “Policia/Prokuroria e dëshmojnë se janë kthyer në një instrument parapolitik të pushtetit të Albin Kurtit, në vegla të Xhelal Sveçles”.

“Sidomos kur ky arrestim bëhet në prani të kamerave, në një media, para një emisioni. Me policë specialë, nëpër terr, pa fletë arrest, me jelekë antiplumbë, sikur me pas arrestua ndonjë kriminel matanë Ibrit (por të cilët Albini nuk po don dhe nuk po guxon me i arrestua)”, ka shkruar Salihu në Facebook.

Filozofi Blerim Latifi i cili ishte i ftuar të debatonte me Molliqajn në Pressing ka publikuar fotografi nga vendi i ngjarjes ku shihen policia në pritje të Molliqajt për ta arrestuar.

Ai ka shkruar se “Hyqmi ka zbarkuar te Pressing. Në kërkim të arratisurit ma ta ri në Kosovë, D.M”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore