Lajme

Qeveria mund ta mbyllë çështjen e Asociacionit një herë e mirë, ia mundësojnë parimet universale dhe ligji – përse nuk po e bën?


Foto nga Albanian Post

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe vartësi i tij Besnik Bislimi, vazhdimisht ankohen përse po pyeten nga gazetarët për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por po vazhdimisht refuzojnë të japin një përgjigje të prerë.

Deklarimet kryesisht s’i përngjajnë njëra tjetrës, derisa komuniteti ndërkombëtar ka shpeshtuar kërkesat për themelimin e Asociacionit, duke u thirrur në marrëveshjen e vitit 2013 të arritur në Bruksel.

Deklarimi i fundit i Kurti ka qenë se s’ka pse ta themelojë ai Asociacionin, meqë ai as nuk e ka nënshkruar.

Por, Kurti e ka një mundësi për ta mbyllur këtë çështje një herë e mirë dhe përfundimisht.

Mundësia është ligjore dhe bazohet në parimin kryesore të së drejtës ndërkombëtare “Rebus Sic Stantibus”.

“Rebus Sic Stantibus” është doktrina ligjore që lejon që një kontratë ose një traktat të bëhet i pazbatueshëm për shkak të një ndryshimi thelbësor të rrethanave. Në të drejtën ndërkombëtare publike, doktrina në thelb shërben si një “klauzolë arratisjeje” ndaj rregullit të përgjithshëm të “Pacta Sunt Servanda”, që në shqip i bie “marrëveshjet duhet të zbatohen”.

Ky parim madje është i përjetësuar edhe në ligjet e Kosovës.

Ligji për Marrëveshje Ndërkombëtare, neni 18 e qartëson krejtësisht situatën.

Neni 18 i ligjit, “Tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës ose suspendimi i zbatimit të tyre”, në tri pika, shpalosë procedurën.

Sipas pikës 2, të këtij neni “Vendimi në lidhje me tërheqjen nga një marrëveshje ndërkombëtare të Republikës së Kosovës ose suspendimin e zbatimit të saj në bazë të normave universale të së drejtës ndërkombëtare, të referuara në paragrafin 1. të nenit 10 të këtij ligji, merret nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me dy të tretat (2/3) e votave”.

Rekomandimin mund ta bëjë ose “Presidenti/ja me iniciativë të tij ose pas propozimit nga Qeveria”.

Kurse pika 3 e nenit sqaron se “Vendimi për tërheqjen nga një marrëveshje ndërkombëtare të Republikës së Kosovës ose për suspendimin e zbatimit të saj në bazë të normave universale të së drejtës ndërkombëtare, përveç atyre të parapara në paragrafin 1 të nenit 10 të këtij ligji, merret nga Presidenti, me iniciativë të tij ose me rekomandim të Qeverisë”.

Por, siç e saktëson parimi “Rebus Sic Stantibus” që të lejohet që një kontratë ose një traktat të bëhet i pazbatueshëm, duhet të ketë ndryshim thelbësor të rrethanave.

A ka rrethana thelbësisht të ndryshueshme sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe?

“Po”, thotë profesori universitar i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një shpjegim për Albanian Post.

“Parimi kryesor në të drejtën ndërkombëtare rebus sic stantibus, do të thotë parim i cili i jep mundësinë qeverive të reja në këtë rast edhe qeverisë tonë dhe çdo qeverie tjetër, në qoftë se qeveritë e kaluara kanë nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare e cila bie desh me kushtetutën, siç ka ra desh kjo me kushtetutën dhe është kundër kushtetuese jo vetëm me vendim të Gjykatës Kushtetuese 23 here, po është edhe në bazë të fundamentit kushtetues edhe pa aktvendim të Gjykatës Kushtetuese”.

Prandaj, vazhdon Baraliu “ka mundësi që në bazë të ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës që kjo qeveri edhe kushdo tjetër që ta kthejë nëse e ka shumicën ta çoj në kuvend dhe të tërhiqet nga kjo marrëveshje”.

Madje, pohon ai është “edhe Konventa e Vjenës po ashtu që jep të drejtën që në situata të caktuara edhe nëse nënshkruhen marrëveshje, të tërhiqen nga marrëveshje, të shprehin rezerva ta ndryshojnë marrëveshjen”.

Përfundimisht, profesori thotë se qeveria aktuale e Kosovës “mund të tërhiqet pa asnjë problem vetëm nëse e ka shumicën në kuvend”.

Ai po ashtu ka treguar edhe shembuj se si ka ndodhur kjo në vende të ndryshme të botës.

“Edhe Franca edhe Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, madje edhe Serbia”, tregon se e kanë përdorur këtë mundësi.

Për shembull, thotë Baraliu “gjatë administratës Trump, Trumpi është tërheq më së paku nga tri marrëveshje multilaterale, nga marrëveshje të shumëanshme dhe ndërkombëtare siç është ajo me tregtinë me Kinën, ajo me Iranin që kanë bërë shtetet e perëndimit, ajo për klimën që është bërë nga e gjithë bota, nga të gjitha këto është tërhequr, edhe kjo e jona në bazë të ligjit të drejtës ndërkombëtare, konventës së Vjenës dhe ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare që është në fuqi në Kosovë, ka drejtë që ta ndryshojë të bëjë rezervë ose të tërhiqet nga marrëveshjet e caktuara të cilat nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe shkelja e Kushtetutës është jo vetëm vepër politike, por edhe vepër penale”.

Atëherë përse nuk po e bën qeveria e Kosovës, meqë e ka mundësinë?

Sepse veçse e ka pranuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por e ka pranuar brenda Marrëveshjes Bazë, apo tashmë të njohurit propozimi franko-gjerman.

Në një audio të siguruar nga Albanian Post, Albin Kurti në takim me pjesëtarë të diasporës në Vjenë, kur pyetet për Asociacionin, pos tjerash iu thotë se “le ta kërkojë Serbia Asociacionin në Marrëveshjen e Përgjithshme”.

Por, Serbia dhe ndërkombëtarët po e kërkojnë Asociacionin para se të futen në negociata për Marrëveshjen mbi propozimin franko-gjerman.

Vetë Vuçiç, sa ishte në Paris, deklaroi për media se “mbase nuk jam më i mençuri, por nuk jam as budalla. Nuk negocioi diçka që tashmë veç është arritur”.

Derisa, siç raportoi edhe gazeta serbe Danas me burime diplomatike nga Brukseli, pala serbe moszbatimin e marrëveshjes për Asociacionin po e paraqet si destruktivitet të Kosovës dhe refuzim për të diskutuar propozimin franko-gjerman.

Vuçiç, raportonte Danas, u ka thënë ndërkombëtarëve se nuk ia vlen të nënshkruhen marrëveshje të reja me Kosovën, “derisa këta nuk do t’i zbatojnë ato” dhe si shembull ka dhënë mos zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin.

Është pikërisht kjo arsyeja përse është rritur presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës për këtë çështje.

Gjithsesi, Kosova përfundimisht mund t’i jap fund këtij presioni, nëse do ta bënte të pazbatueshme me votim në parlament dhe tërheqje nga marrëveshje për shkak të parimit universal se kanë ndryshuar rrethanat thelbësisht dhe duke shfrytëzuar Ligjin për Marrëveshje Ndërkombëtare.

Qeveria – si gjithmonë – ka refuzuar të jap një shpjegim e pyetur përse nuk po ndiqet kjo rrugë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore