Lajme

Qëllohet i dërguari I Papës në Ukrainë, kardinal Krajewski


I dërguari i Papës në Ukrainë, shpërndarësi i lëmoshave dhe prefekti i Dikasterit të Bamirësisë, kardinal Konrad Krajewski, u godit ditën e shtunë nga dy të shtëna me armë zjarri.

Kardinali ishte së bashku me dy peshkopë, një katolik dhe një protestant, dhe i shoqëruar nga një ushtar në udhëtimin e tij në Ukrainë me autobusin e ndihmës. Të tre ishin drejtuar “në një zonë të kontrolluar nga rusët”, atje ku “përtej ushtarëve nuk hyn më askush”, ka deklaruar Kardinali.

Goditjet erdhën kur ata ishin duke kaluar në një nga fazat e planifikuara. Kardinali, së bashku me të tjerët, arritën të shpëtojnë.

“Për herë të parë në jetën time nuk dija ku të ikja… sepse nuk mjafton të vraposh, duhet të dish edhe se ku”, tha Kardinali për median “Vatican News” duke folur nga Zaporizhzhia.

Kardinal Krajewski ishte në misionin e tij të katërt në Ukrainë, dërguar nga Papa Françesku dhe po sillte ndihma nga Odessa në Zaporizhzhia dhe në Kharkiv.

Me furgonin e tij me ushqime ndodhej pranë kufirit rus. Askush nuk mbeti i lënduar. “Jam mirë, tani jam në Kharkiv, qyteti më i bombarduar nga të gjithë, ku ka varre masive si në Katin”, tha Krajewski për italianen “Corriere della Sera”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore