Sport

Pse të mos ëndërrojmë pak më gjatë?


“Ëndrrat janë falas”, andaj edhe ëndërrojmë.

Pra, pse mos të ëndërrojmë pak më gjatë?

Janë disa gjëra që njëkohësisht janë shumë afër dhe shumë larg. E kështu duken edhe këto kualifikuese për botërorin ‘Katar 2022’ për Shqipërinë.

Kuqezinjtë, realisht, janë më afër se asnjëherë për t’u bashkuar në zonën play-off.

Polonia ka dhjetë pikë, Shqipëria nëntë.

Me sonte, edhe pesë ndeshje kanë mbetur në fund të kualifikueseve, e pas natës së sontme, Shqipëria me shumë mundësi, do të jetë vetëm 360 minuta larg historisë.

Në Elbasan, Shqipëria përballet me modestët e San Marino-s, me mendjen te fitorja, e shpresën që Anglia do të jetë shumë e fortë për Poloninë në Varshavë.

San Marino, ndeshjen e fundit në historinë e tyre, e ka fituar në vitin 2004 përballë Lihtenshtajnit.

Andaj, nëse gjithça shkon siç pritet, muajin shtator, Shqipëria e mbyll e dyta në grupin I, pra, në vendin e zonës play-off.

Pastaj, gjithçka është në dorën e të zgjedhurve të Reja-s, të cilët, ashtu si edhe ne, shpresojnë që krahas punës, fati t’iu zgjasë pak dorën.

Në muajin tetor dhe nëntor, Shqipëria dhe Polonia luajnë edhe nga katër ndeshje, dhe ky është kalendari për dy kombëtaret.

Shqipëria: Hungaria (M), Polonia (V), Anglia (M), Andorra (V).

Polonia: San Marino (V), Shqipëria (M), Andorra (M), Hungaria (V).

Jashtë loje nuk mundet të nxirret as Hungaria, që aktualisht ka mbetur pak prapa në krahasim me dy kombëtaret tjera.

Kalendari është padyshim i vështirë, por Reja dhe të tjerët me performancat e fundit i kanë treguar publikut shqiptar se kanë të drejt të ëndërrojnë.

Play-off  nuk siguron asgjë, por për Shqipërinë do të ishte një fazë e pa arritur ndonjëherë.

Andaj, kur është e mundur, pse të mos ëndërrojmë pak më gjatë?

E bëm në vitin 2016 me Sadikun, Canën, De Biasin, pse mos ta bëjmë përsëri me Brojan, Gjimshitin dhe Rejan?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore