Kosova

PSD futet në studiot e RTK-së: Radio Televizioni i Kurtit


Foto e shkëputur nga aksioni i PSD-së

(Ky lajm është përditësuar)

Aktivisti i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Nol Nushi, është futur në studion e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) teksa po zhvilloheshin lajmet qendrore, nga ku ka shfaqur një pankartë të bardhë shkruar me të zezë: “Radio Televizioni i Kurtit”.

Protestën e PSD-së ndaj emërimit të Rilind Gërvallës si drejtor i transmetuesit publik, e ka konfirmuar kryetari i partisë, Dardan Molliqaj, i cili përmes një postimi në Facebook, ka thënë se tash e tutje lajmet e RTK-së janë lajme të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Lajmet e televizionit publik tash e tutje janë lajmet e partisë. Redaksia tash është Qeveria. Policia nuk është më veç në rrugë. Ajo vjen përmes filtrave të censurës. Garanton Rilind Gërvalla, drejtor i televizionit, i deleguar nga Partia-Shtet”.

“Emërimet partiake nëpër ndërmarrje e agjenci janë bërë pjesë e përditshmërisë. Por, ky nuk është emërimi i radhës. Me këtë emërim pushteti na hyn nëpër shtëpi. Për të na treguar si duhet t’i kuptojmë veprimet e tij. Por, qytetarët tanë e kanë kaluar, dhe nuk do të kthehen me në kohërat e errëta ku jeton ky regjim. Liria do t’i gjejë rrugët e saj”, shtoi ai.

Pas kësaj ngjarje, i menjëhershëm ka qenë reagimi i menaxhmentit të RTK-së, të cilët e kanë dënuar veprimin e Nushit, duke thënë se e respektojnë të drejtën e secilit për të shprehur kundërshti ndaj proceseve, por njëkohësisht kërkoi që kjo të bëhet brenda suazave normale të protestës.

“Menaxhmenti i RTK-së dënon aktin e aktivistit të PDK-së, i cili fshehurazi dhe dhunshëm ka hyrë në studion e lajmeve të RTK-së, akte të tilla janë të papranueshme dhe përçojnë mesazhe të kundër me vlerat që prezanton transmetuesi publik, ju kujtojmë që aktivisti ishte i Partisë Socialdemokrate, pra PSD-së”, thuhet në reagimin që e lexoi moderatorja e lajmeve.

Qendra Evropiane për Shtypin dhe Lirinë e Medias ka reaguar pas zgjedhjes së Rilind Gërvallës, aktivist i partisë së Vetëvendosjes që nga viti 2009, drejtor për kanalet shqip në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

“Shprehim keqardhje për vendimin e bordit të RTK-së për zgjedhjen e Rilind Gërvallës si drejtor të televizionit. Z. Gërvalla është një aktivist i partisë në pushtet. Emërimi i tij shkatërron përpjekjet e Bordit, i cili kishte mbështetjen tonë të plotë, për të depolitizuar transmetuesin publik”, thuhet në reagimin e kësaj organizate në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore