Lajme

Protestë para Ministrisë së Jashtme, Sindikalistët: Në këtë ministri është instaluar frika, shantazhi e kërcënimi


Protesta e Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm

Shoqata Sindikale e Anëtareve të Shërbimit të Jashtëm, këtë të enjte ka protestuar para ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, lidhur me zhvillimet e fundit në këtë ministri.

Sipas Albert Prenkaj, përfaqësuesi i kësaj shoqate, protesta ka për qëllim shprehjen e indinjatës, mospajtimit me zhvillimet e kohëve të fundit në këtë dikaster.

Për Prenkajn, në këtë ministri është instaluar frika, shantazhi e kërcënimi.

“Jemi dëshmitar të një presioni ndaj secilit prej nesh dhe ne i pam kolegët tonë duke u larguar sepse janë të frikësuar. Në MPJD është instaluar sistemi i frikësimit, shtantazhimit dhe kërcënimit në mënyra nga më të ndryshme ndaj zyrtarëve tanë Kjo është në kundërshtim me Kushtetutën, janë prekur fundamentet e Kushtetutës. Në këtë institucion nuk ekziston ambient i sigurt i përshtatshëm për punë”, ka thënë Prenkaj.

Për të ndërprerë përgjithmonë këtë dukuri të pakuptimtë, Prenkaj ka paraqitru disa prej kërkesave të Shoqatës Sindikale e Anëtareve të Shërbimit të Jashtëm.

Në mesin e kërkesave sipas shoqatës është kthimi i rendit Kushtetues dhe ligjshmëria në Shërbimin e Jashtëm, si dhe ndërprerja e përndjekjeve dhe segrecionit të diplomatëve dhe zyrtarëve me përvojë të gjatë diplomatike.

“Të ndërpritet hakmarrja ndaj sindikatës dhe kryetarit te saj menjëherë në pajtim me ligjin për organizimin sindikal. Të shfuqizohen të gjitha vendimet arbitrare që kanë shkaktuar largimin e kolegëve nga puna dhe të mos merren vendime për largimin nga puna pa vendim të gjykatës. Të ndërpritet përndjekja dhe diskriminimi i diplomatëve nëpër komisione të kurdisura. Të ketë trajtim meritorë sipas praktikave të mira ndërkombëtare të zyrtarëve diplomatik në MPJD në Ligjin për Pagat”, janë disa nga pikat e paraqitura.

 

Ndryshe dy ditë më parë Albanian Post, pati siguruar një vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, përmes së cilës ky këshill kishte shpallur të kundërligjshëm konkursin për 32 zyrtarë të misionit diplomatik gjatë muajit korrik të këtij viti.

Në vendimin që e posedon AP, thuhet se rekomandohet që MPJ të ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore për anulimin e këtij konkursi.

“Kolegji i Këshillit, po ashtu nga shqyrtimi i shkresave të administruara ka gjetur se procedurës së rekrutimit të 32 zyrtarëve të misionit diplomatik nuk i ka paraprirë një procedurë e brendshme e lëvizjes paralele në kuadër të shërbimit civil”, thuhet në dokument.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore