Shqipëria

Projektligji për portin e Durrësit kalon me procedurë të përshpejtuar në Kuvend


Projektligji për portin e ri të Durrësit do të kalojë në Kuvend me një procedurë të përshpejtuar.

62 deputetë votuan pro kalimit të kësaj marrëveshje “me procedurë të përshpejtuar”, ndërkohë që 19 deputetë të opozitës votuan kundër.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se në vendin tonë po bëhet një investim që nuk është bërë ndonjëherë.

Ky projekt, sipas tij, e transformon Durrësin në një nga pikat më rëndësishme në Mesdhe.

Kreu i qeverisë theksoi se në Kuvend “as u miratua dhe as u diskutua gjë”.

Përfaqësuesi demokrat Enkelejd Alibeaj u shpreh sakaq se ky projektligj ka pesë nene bashkë me hyrjen në fuqi dhe kushton më shumë nga 30 vite.

“Kostoja e këtij projektligji është mbi 2 miliardë dhe ju doni ta kaloni me procedurë të përshpejtuar sot kur diskutohet buxheti”, shtoi Alibeaj.

Ai parashtroi disa pyetja nga ana e tij lidhur me këtë projekt: “Çfarë është dhënë dhe çfarë është marrë? Sa është territori i Shqipërisë që ju po shisni? Sa fiton shteti shqiptar? Çfarë pazari është bërë me Portin e Durrësit?”.

Në përmbyllje ai i bëri thirrje presidentit të Republikës (Bajram Begaj) dhe organeve të drejtësisë, nëse ky projektligj është i mirë për shqiptarët dhe a do të sjellë mirëqenie.

Projekti

Porti i Durrësit është projektuar dhe do të ndërtohet edhe si “Porti i Prishtinës”.

Lajmin e bëri të ditur studio holandeze gjatë muajit majt për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano.

“Pra, ju keni shtuar Prishtinën, shkëlqyer, praktikisht ky bëhet edhe porti i saj gjithashtu”, u shpreh kryeministri shqiptar Edi Rama para përfaqësuesit holandez.

Sipas studios, porti më vete është vetëm port, por duhet konsideruar si një element i një zinxhiri të tërë logjistik.

Në vijim, përfaqësuesi deklaroi se kjo mund të jetë një portë hyrëse për në Ballkanin Perëndimor.

Rama shtoi se ky ishte qëllimi që në premisat e para të këtij projekti.

“E pamë që porti aktual ishte një rrëmujë e tërë, ndoste dhe nuk kishte kapacitetet për t’u zgjeruar”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.

Sa i takon portit të ri, kryeministri theksoi se ai ka potencial, ka kapacitete dhe na bën portën hyrëse në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Zgjatimi i portit të thatë në Prishtinë është kryevepër”, tha në përmbyllje Rama.

Kujtojmë që më 7 prill kreu i qeverisë bënte me dije fillimisht se porti aktual nuk mund të vazhdojë të rrijë në zemër të qytetit.

Kjo, pasi nuk ka sens që qyteti të marrë gjithë ndotjen e portit aktual.

I ftuar në një studio televizive, Rama nënvizonte se porti komercial tregtar do të shkojë në Porto Romano.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore