Përballje

Prishtina triumfon në derbin ndaj Pejës


Sigal Prishtina ka shënuar fitore ndaj Pejës në udhëtim me rezultat 86:93, në ndeshjen e zhvilluar në kuadër të javës së nëntë të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.

Prishtinasit e nisën ndeshjen më mirë, duke qenë në epërsi, ku më e larta në çerekun e parë ishte tetë pikë, 15:23, ndërsa kjo pjesë përfundon 19:24.

Periudha e dytë ishte interesante, ku mysafirët rritën epërsinë në 24:33, por një seri prej 9:0 e vendasve bëri që rezultati të barazohet në 33:33, e më pas zhvillohet lojë interesante, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 41:45.

Pejanët e filluan furishëm periodën e tretë për të barazuar rezultatin në 47:47, megjithatë, kryeqytetasit sërish shkëputen duke arritur deri në dhjetë pikë epërsi, 63:73, sa ishte rezultati pas 30 minutash.

Prishtinasit e kontrolluan lojën në 10 minutat e fundit, duke qenë gjithnjë në epërsi për të triumfuar në fund me rezultat 86:93.

Te Peja u dalluan Dardan Berisha me 27 pikë e shtatë asistime dhe Stephen Maxwell me 26 pikë e tetë kërcime.

Ndërsa te Sigal Prishtina u dalluan Wendell Mitchell me 24 pikë, Jan Palokaj me 14 pikë e gjashtë asistime, Lejson Zeqiri me 18 pikë e shtatë kërcime dhe Biram Faye me 18 pikë e nëntë kërcime.

Peja ka gjashtë fitore dhe katër humbje, kurse Sigal Prishtina pesë fitore dhe katër humbje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore