Përballje

Prishtina barazon pa gola ndaj Dukagjinit


Prishtina ka barazuar me rezultat 0:0 në shtëpi ndaj Dukagjinit, në ndeshjen e parë të javës së 14-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll.

Një barazim që duket si një lloj dështimi për trajnerin e ri të Prishtinës, Abdulah Ibrakoviq, për të cilin kjo ndeshje ishte debutuese me klubin bardhekalër.

Në stadiumin “Fadil Vokrri” u zhvillua një takim me pak raste për shënim, ku vendasit ishin më kërkues, por gjatë pjesës së parë nuk pati ndonjë rast serioz për ta rrezikuar shumë Dukagjinin.

Pjesa e dytë u karakterizua me disa raste shënimi nga dyja skuadrat, por golin nuk mund ta gjenin assesi.

Dukagjini rrezikoi me Ergyn Ahmetin në minutën e 64-të, por goditja e tij shkoi mbi portë, ndërsa Prishtina pati rast ideal me anë të Endrit Krasniqit në minutën e 78-të, por portieri Haxhihamza bëri një pritje të mirë, për të mbajtur portën të paprekur.

Pas këtij barazimi, Prishtina mbetet në vendin e e pestë me 18 pikë, ndërsa Dukagjini nuk lëvizë nga pozita e tetë, me 15 pikë të grumbulluara.

Në ndeshjen e ardhshme, Prishtina luan përsëri në shtëpi ndaj Feronikelit, ndërsa Dukagjini e pret Ulpianën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore