Lajme

Presidentja Osmani – megjithatë – ftohet në inaugurimin e Milatoviç’it


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është ftuar në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, përkundër pretendimeve të disa mediave malazeze që e thonin të kundërtën.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

“Ftesa për Presidenten Osmani për pjesëmarrje në inaugurimin e presidentit Milatoviç ka ardhë”, tha Kupina për AP.

Ndryshe, këtë të enjte media malazeze, Antena M, ka raportuar se kanë pasur qasje në listën zyrtare të presidentëve rajonalë të ftuar për inaugurimin e presidentit të ri Jakov Milatoviç dhe se aty nuk gjendet emri i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, por burime të Albanian Post brenda partisë së Milatoviç “Evropa Tani”, bënë të ditur se lajmi nuk është i vërtetë.

“Jo, raportimi nuk është i saktë”, thanë për AP nga ekipi i Milatoviç.

Antena M pretendoi se lajmi për mos ftesën e Osmanit në inaugurim përforcohet nga fakti që ekipi i Milatoviç nuk i është përgjigjur pyetjes së tyre për këtë çështje tash e sa ditë, por burimi i njëjtë për AP tha se në fakt zyrtarisht Parlamenti i Malit të Zi merret me procedurën e inaugurimit dhe jo ekipi i presidentit të zgjedhur.

Ndërsa, Milatoviç, pas inaugurimit në Parlamentin e Malit të Zi të planifikuar për 20 maj të këtij viti, do të organizojë “koktej inaugurues” me presidentët e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Jakov Milatoviç

Ndonëse ende nuk janë konfirmuar pjesëmarrësit dhe të ftuarit në këtë ceremoni përuruese, mediat malazeze kanë njoftuar se ftesa iu është dërguar presidentëve të rajonit: presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, presidentit të Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovksi dhe atij të Kroacisë, Zoran Milanoviç.

Të ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë inauguruese të presidentit të ri të Malit të Zi, sipas mediave malazeze, janë edhe anëtarët e Presidencës Trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës: Zheljka Cvijanoviç, Denis Beçiroviç dhe Zheljko Komshiç.

Për herë të parë në historinë moderne të shtetit malazez, inaugurimi i presidentit malazez nuk do të bëhet në Cetinje, qyteti që e ka statusin e kryeqytetit, por në Villa “Goricë”, që është e vendosur në shpatet jugore të kodrës së Goricës në Podgoricë.

Lajmi që Osmani nuk është ftuar të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit malazez nuk është i vërtetë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore