Lajme

Presidentja e Kosovës përkujton Beau Biden, djalit e presidentit amerikan


Përkujtimeve të familjes Biden në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Beau Biden, iu është bashkuar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani përmes një postimi në Facebook, ka theksuar shërbimin e Beau Biden, si vullnetar për një trajnim për gjyqtarë dhe prokurorë në Kosovën e pasluftës.

“Beau shërbeu në Kosovë, larg familjes dhe vendit të tij, për ta ndihmuar shtetndërtimin në Kosovë dhe funksionimin dhe sundimin e ligjit në vendin tonë”, ka shkruar Osmani.

Ajo bashkë me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu dhe dy vajzat e tyre, kanë vendosur lule te memoriali i Beau Biden, të birit të presidentit amerikan, Joe Biden.

“Sot vendosëm lule pranë memorialit dedikuar atij, në përkujtim të shërbimit të kryer prej tij për vendin tonë, si dhe të gjithë atyre burrave e grave që qëndruan pranë nesh në kohë sfiduese, duke i shërbyer paqes e shtet ndërtimit në Kosovë”, vijon shkrimi.

Ndërkaq, duke e vlerësuar kontributin e Beau Biden dhënë pas luftës në vënien e themeleve të sistemit juridik në Kosovë, rruga Ferizaj-Gjilan në afërsi të kampit BondSteel ishte emërtuar me emrin e Beau Biden.

Pjesë e ceremonisë së zhvilluar më 17 gusht të vitit 2016, ishte e gjithë familja Biden.

Familja Biden në Kosovë

Beau ishte djali i parë i Joe dhe Neilia, i lindur në vitin 1969.

Ai ishte i diplomuar në Universitetin e Pensilvanisë dhe ishte një nëpunës juridik për një gjykatës të New Hampshire para se të bashkohej me departamentin e drejtësisë të SHBA nga 1995 deri në 2002, duke përfshirë pesë vjet pune si një prokuror federal.

Beau po ashtu, kishte shërbyer edhe për një dislokim njëvjeçar në Irak ku fitoi edhe medalje bronzi.

Në vitin 2002 ishte martuar me Hallie Olivere ku më pas u bë baba i dy fëmijëve.

Në vitin 2010, Beau pati pësuar një goditje në tru dhe tre vjet më vonë iu nënshtrua një operacioni në një qendër kanceri në Teksas.

Ai i ishte nënshtruar operacionit për kancerin e trurit pasi u diagnostikua në gusht të viti 2013. Pas operacionit për të cilin u tha se kaloi me sukses, në vitin 2015, Beau pësoi një goditje tjetër nga sëmundja dhe vdiq, vetëm 10 ditë pas pranimit në spital.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore