Lajme

Prapë të shtëna me armë në Prishtinë, prapë s’ka të arrestuar


Policia e Kosovës.

Edhe gjatë së mërkurës në Komunën e Prishtinës, ka pasur të shtëna me armë zjarri nga disa persona, konkretisht në lagjen “Dardania”, vendi ku edhe janë sekuestruar disa gëzhoja nga Policia e Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të policisë.

“Pas disa të shtënave me armë zjarri nga persona të panjohur policia në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja. Me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt, dhe vazhdon te hetohet nga njësiti përkatës hetimor”, thuhet në raport.

Dy raste të tjera në Prishtinë kanë qenë “hetim mbi vdekjen”, kjo pasi dy persona janë gjetur pa shenja jete.

“Një femër kosovare  ka raportuar se në rrugë ka vërejtur në person të shtrirë. Njësiti policor dhe ekipi mjekësor kanë dal në vendin  ngjarjes ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës mashkull kosovar.  Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës  është dërguar në IML për Obduksion”.

“Raportohet se në rrugë është gjetur i shtrirë viktima mashkull kosovar. Në vendin  e ngjarjes kanë dal njësitet relevante policore dhe ekipi mjekësor ku është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion”.

Po ashtu, në të njëjtën ditë nga policia janë sekuestruar dy armëmbajtje pa leje, ndërsa personat janë liruar në procedurë të rregullt.

“Gjatë kontrollit në trup tek i dyshuari mashkull kosovar është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me shtatë (7) copë fishekë. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.

“Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit mashkull kosovar është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.

Dy persona kanë vdekur pas plagosjes që kishte ndodhur në Prishtinë, të martën.

Të mërkurën në Klinikën e Emergjencës, ka ndërruar jetë personi i dytë për të cilin ishte raportuar se kishte qëlluar rastësisht pjesëmarrës në trafik në momentin e të shtënave.

Të dyshuarit vazhdojnë të jenë në arrati, ndërsa motivi i rastit akoma nuk dihet.

Nga policia është thënë se po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes, si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim të identifikimit të dyshuarve dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Meqë rastet më të mëdha të vrasjeve ndodhin në Prishtinë, kërkesë e komunës së Prishtinës ka qenë vazhdimisht që kryeqyteti ta ketë policinë e vet.

Drejtori për siguri dhe emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, në një bisedë më herët për Albanian Post kishte deklaruar se krijimi i kësaj policie do të parandalonte krimet eventuale, dhe do të rriste nivelin e sigurisë publike në kryeqendrën kosovare.

“Kemi kërkuar që të përshpejtohen procedurat për krijimin e policisë së kryeqytetit. Na është thënë se policia e ka miratuar strukturën organizative dhe tash mbetet që ata t’i vazhdojnë procedurat e tyre”, tha Fushtica për Albanian Post.

Për një Prishtinë më të sigurt për qytetarët, Fushtica thotë se po planifikohet edhe vendosja e kamerave të cilat do monitorohen nga policia.

“Ne do të fillojmë edhe instalimin e kamerave në kryeqytet, të cilat do të ndihmojnë në parandalim, por edhe në zbulim të aktiviteteve kriminale. Tenderin do e hapim këtë javë, është përgatitur edhe plani se ku do vendosen kamerat. Harta është dizajnuar nga policia e Kosovës, monitorimi do bëhet nga policia po ashtu”, kishte shpjeguar Fushtica.

Krijimi i policisë së kryeqytetit parashihet edhe me Ligjin për kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinën, i miratuar në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2018.

Sipas këtij ligji, Policia e Kosovës duhet të themelojë Drejtorinë e Policisë për Kryeqytetin, e cila do të ketë kompetencë vetëm në territorin e kryeqytetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore