Lajme

Osmani: Serbia duke mos i hapur arkivat po e shkelë deklaratën për të zhdukurit


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të shtunën ka akuzuar Serbinë se po vazhdon të shkel deklaratën për personat e pagjetur duke i shpërfillur kërkesat e Kosovës për hapjen e arkivave të policisë dhe ushtrisë serbe në lidhje me mijëra personat e zhdukur me forcë gjatë luftës së viteve 1998/1999 në Kosovë.

Pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit më 27, Osmani në një deklaratë për media tha se “edhe sot Serbia vazhdon që të bëjë krim të dyfishtë, sepse njëherë e kreu krimin, e pastaj bëri çmos që ta fshehë atë, duke i fshehur gjurmët e krimit edhe 25 vjet më vonë”.

“Përkundër faktit se kryetari i komisionit qeveritar, Andin Hoti, i ka dërguar letra Serbisë disa herë, duke i kërkuar që të hapen arkivat për të dhënat e brigadave policore dhe ushtarake, për të cilat ka dëshmi që kanë marrë pjesë në masakra, por edhe në operacione pas luftës për fshehjen e trupave, Serbia akoma nuk bëhet e gjallë në përgjigjen e këtyre kërkesave dhe vazhdon ta shkelë këtë marrëveshje të arritur në Bruksel”, tha ajo.

Kosova dhe Serbia, vitin e kaluar u pajtuan për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Deklarata ndër të tjera përfshinë qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar. Vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Ndryshe Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, potencoi se deklarata e përbashkët, e miratuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në maj të vitit 2023, “nuk po zbatohet ende”.

Stano theksoi se Deklarata nuk është ligjërisht e detyrueshme, por shtoi se BE-ja kërkon nga palët që të angazhohen “në mënyrë konstruktive” në kuadër të dialogut, për të arritur pajtueshmëri për termat e referencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore