Komuna e Prishtinës po synon që përmes krijimit të policisë për kryeqytetin, vendosjen e kamerave dhe kontrolleve më të rrepta, t’i parandalojë incidentet e ngjashme si rasti i 5 gushtit kur në lokalin “Bon Vivant” mbetën të plagosur 20 veta, pasi dy grupe të njohura për krime edhe në të kaluarën e disa edhe të kërkuar nga prej kohësh nga policia luftuan me armë brenda hapësirave të lokalit duke lënë edhe një person të vdekur.
Tashmë në policinë e Kosovës, sipas drejtorit për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulëzim Fushtica, është hartuar struktura organizative për themelimin e policisë së kryeqytetit.
“Pas rastit tragjik jemi takuar me drejtorin e policisë në Prishtinë, Basri Shabanin, dhe kemi kërkuar edhe në atë takim që të përshpejtohen procedurat për krijimin e policisë së kryeqytetit. Na është thënë se policia e ka miratuar strukturën organizative dhe tash mbetet që ata t’i vazhdojnë procedurat e tyre”, tha Fushtica për Albanian Post.
Sipas tij, iniciativa për krijimin policisë së kryeqytetit është imperativ i kohës dhe është prioritet i kryetarit Përparim Rama.
Por, për Fushticën, është tmerrues fakti se ka një numër të madh të qytetarëve që bartin armë zjarri dhe të ftohta.
“Në bazë të informatave që na kanë dhënë policia është një numër i madh i personave që bartin armë zjarri dhe për ne kjo është shqetësuese”.
Ndërsa për një Prishtinë më të sigurt për qytetarët, Fushtica thotë se po planifikohet edhe vendosja e kamerave të cilat do monitorohen nga policia.
“Ne do të fillojmë edhe instalimin e kamerave të kryeqytetit të cilat do të ndihmojnë në parandalim, por edhe në zbulim të aktiviteteve kriminale. Ne tenderin do e hapim këtë javë, është përgatitur edhe plani se ku do vendosen kamerat. Harta është dizajnuar nga policia e Kosovës, monitorimi do bëhet nga policia”, ka shpjeguar Fushtica.
Ai ka potencuar se zyrtarët policorë janë duke bërë një punë të madhe, por shtoi se ka kërkuar nga organet që të rritet numri i patrullimeve dhe kontrolleve nëpër lokale.
“Ne do të fillojmë që të bëjmë kontrolle më të rrepta me inspeksion nëpër lokale, kemi miratuar rishtazi rregulloren që parasheh që të gjitha lokalet të punojnë deri në orën 24:00, jemi në proces të implementimit të projektit për mbajtjen e matësve të zhurmës”, potencoi ai.
Ligji për Prishtinën ishte miratuar në vitin 2018 me 66 vota për dhe 1 abstenim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, Prishtina ende nuk ka polici të veten, e cila parashihet me ligj.