Kosova

Porfirije në mesazhin e Pashkëve: “Tjetërsimi i Kosovës është i papranueshëm”


Patriarku Porfirije

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Patriarku Porfirije, ka folur sërish për Kosovën duke thënë në mesazhin e tij se “tjetërsimi i Kosovës” nga shteti i Serbisë është i papranueshëm dhe se KOS-i avokon për një jetë të përbashkët me shqiptarët e Kosovës sepse “ka vend për të gjithë”.

“Të bashkohemi dhe të shumëfishojmë lutjet tona për paqen, për ruajtjen e Kosovës në Serbi, për ruajtjen e faltoreve tona. Të bashkohemi dhe të shumëfishojmë lutjet tona për jetën e qetë të popullit tonë kudo që të mos përsëriten vuajtjet tona apo të dikujt tjetër”, tha ai, transmeton “N1″.

“Kryepeshkopët dhe besimtarët e Kishës Ortodokse Serbe, emri i parë i së cilës është Patriarkana e Pejës, janë të mendimit të vendosur dhe të pandryshueshëm se tjetërsimi i Kosovës nga shteti i Serbisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, de facto ose de jure, është i papranueshëm”, shtoi ai.

Kujtojmë se Patriarku Porfirije në muajin tetorin e 2022 është fronëzuar në Patriarkanën e Pejës, ku në fjalimin e tij iu bëri thirrje “vëllezërve shqiptarë” dhe popullit serb që të luten për paqe. KOS-i është fokusuar prej kohësh në promovimin dhe zbatimin e ideologjisë nacionaliste të “Serbisë së Madhe” në aktivitetet e saj publike.

Ndryshe, drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, mori pjesë në liturgjinë e mesnatës në Manastirin e Deçanit me rastin e Pashkëve Ortodokse.

Ai shoqërohej nga Goran Rakiç, kryetari i Listës Serbe – forcës më të madhe politike të serbëve të Kosovës – si dhe figura të tjera të kësaj partie. Lajmin e bëri të ditur vetë Lista Serbe përmes një komunikate për media, por pa dhënë shumë detaje të tjera.

Edhe Manastiri i Deçanit konfirmoi se Petkoviç mori pjesë në liturgji bashkë me disa përfaqësues të misionit të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR). Sipas tyre, rreth 300 besimtarë ortodoksë nga Kosova, Serbia dhe Mali i Zi morën pjesë në liturgjinë e mesnatës.

“Në liturgji morën pjesë edhe Petar Petkoviç, drejtori i ‘Zyrës për Kosovën’ në Qeverinë e Serbisë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, përfaqësues politikë serbë nga Kosova, si dhe përfaqësues të KFOR-it”, shkroi Manastiri i Deçanit.

Në të kaluarën pjesëmarrja e figurave politike të Beogradit në ceremoni fetare është shoqëruar me fjalor të papranueshëm duke nxitur përçarje mes serbëve dhe të gjitha komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore