Lajme

Policia vazhdon operacionin “Guri”, arrestohen gjashtë persona dhe sekuestrohen 12 kg marihuanë


Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar gjashtë persona si dhe janë konfiskuar 12 kilogram substancë narkotike (që dyshohet të jenë marihuanë), në 11 lokacione të ndryshme, në kuadër të operacionit policor “Guri”.

“Në vazhdën e zhvillimit të operacionit policor ‘Guri’, i zhvilluar në koordinim me organet e drejtësisë (prokurorinë), janë kontrolluar 11 lokacione, ku si provë materiale janë gjetur dhe konfiskuar rreth 12 kg substancë narkotike (dyshohet të jetë marihuanë), 3467 euro, 12.700 lekë (paratë dyshohet janë përfituara nga vepra penale) dhe tri vetura me të cilat është bërë bartja e lëndës narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq, aty theksohet se “gjatë kontrolleve, në njërin nga lokacionet, një i dyshuar, në tentim për të ikur ka kërcyer nga një lartësi e shtëpisë dhe ka pësuar lëndime”.

“I njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, bëjnë me dije nga Policia.

Ky operacion i Departamentit të Hetimeve – Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, është në vazhdën e zbatimit të operacionit policor të realizuara më herët gjatë këtij viti (30 mars, 5 prill e 4 maj).

“Gjatë zbatimit të operacionit më herët, ishin gjetur e konfiskuar rreth 36 kg marihuanë dhe ishin arrestuar tre të dyshuar”.

“Në tri operacionet e më hershme dhe në këtë të ditës së sotme janë konfiskuar rreth 48 kg substancë, dyshohet të jetë e llojit marihuanë vlera e të cilës është rreth 70 mijë euro, janë arrestuar nëntë të dyshuar të cilët dyshohet se kanë vepruar si grup kriminal që është marrë me ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’”.

Çka ndodhi?

Fillimisht u raportua se Policia e Kosovës është duke zhvilluar një operacion në disa lokacione të Kosovës.

Lajmin për Albanian Post e konfirmoi zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Policia e Kosovës, me njësitet e saj relevante ka realizuar një operacion policor, në disa rajone/lokacione të ndryshme, me qëllim të hetimit dhe parandalimit të veprimtarive kriminale”, ka thënë Kelani për AP.

Teksa ka potencuar se pas përfundimit të operacionit do të dalin me informacione shtesë.

“Pas përfundimit të veprimeve policore pritet të jepen informacione shtesë”.

Ndryshe, më 12 shkurt, policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në vazhdën e luftës për parandalimin dhe luftimin e rasteve të abuzimit me substanca narkotike, kishte realizuar një operacion policor anti-drogë në rajonin e Mitrovicës së Veriut.

Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media të dielen, ku ndër të tjera thuhet se aksioni policor është duke u zhvilluar pas hetimeve intensive dhe po realizohet me mbështetjen e njësive tjera relevante policore.

Policia e Kosovës kujtoi se edhe gjatë vitit të kaluar ka kryer disa aksione anti-drogë, të cilat kanë rezultuar me konfiskim të një sasie të madhe të lëndëve narkotike dhe pati arritur të shkatërrojë edhe një laborator të drogës në Komunën e Zveçanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore