Lajme

Policia tregon për Albanian Post cila është situata e sigurisë aktualisht në Veri


Policia e Kosovës në Veri, foto Radio Evropa e Lirë.

Kamionë të mëdhenj dhe autobusë vazhdojnë t’i bllokojnë rrugët në fshatin Rudarë të Komunës së Zveçanit.

Mirëpo, të dielën e 12 dhjetorit, sipas Policisë së Kosovës, situata ka qenë e qetë.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së veriut, Besim Hoti për Albanian Post.

“Nuk ka pasur diçka të rëndësisë së veçantë nga spektri i sigurisë”, ka deklaruar shkurt Hoti për AP.

Për situatën në Veri, në një qëndrim në llogarinë e tij në Facebook të shtunën në mbrëmje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u tregua fare i qartë.

“Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë”, shkroi Kurti.

Të dielën herët, edhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shkroi në Twitter përafërsisht të njëjtën fjali.

“Barrikadat duhet të largohen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës”.

Policia e Kosovës në Veri

Krejt në fund, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes një deklarate të përbashkët të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë dhe asaj në Beograd, kanë kërkuar që “ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë”.

Por, po kalojnë orë dhe ditë prej se u dhanë këto urdhra në rrjete sociale e deklarime dhe situata nuk ka ndryshuar në terren.

Barrikadat nuk janë larguar.

Policisë asnjëherë nuk i është dhënë urdhëri formal që u dha në Facebook.

Kjo u kuptua nga ministri Xhelal Sveçla, kur doli në konferencë të përbashkët për media me Kurtin.

Kështu, gjashtë barrikadat e ngritura në komunat veriore detyruan policinë që të mbyllin dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe tashmë është pamundësuar qarkullimi i rregullt.

Kurti e Sveçla u pyetën në konferencë për media se kur do të largohen barrikadat. Kurti refuzoi të përgjigjet fillimisht, derisa Sveçla dha një përgjigje të çuditshme.

Ai tha se “policia bën planet operative  dhe në momentin që ata e vlerësojnë të duhur, do të ndërmarrin veprimet e duhura”.

Veriu i bandave?

Pjesëtarët e grupeve kriminale, mbështjellur fytyrat me maska, janë shndërruar në pamje të zakonshme në katër komunat veriore dhe gjithashtu numri i policisë së Kosovës është rritur ndjeshëm për t’iu përgjigjur kundërshtimit.

Vakumi i sigurisë në veriu u krijua për një çështje e cila tashmë ka përfunduar, por i kanë mbetur si zgjatime pasojat.

Kosova deshi të aplikojë vendimin e marrë nga Qeveria për konfiskimin e veturave me targa ilegale. U kundërshtua nga Serbia dhe serbët lokalë dhe u këshillua nga ndërkombëtarët të mos e bëjë. Qeveria më pas vendoi të sekuencojë vendimin dhe të vazhdojë me qortime e gjobitje për ato vetura që identifikohen me targa “KM…” të Serbisë. Serbët e Kosovës në revoltë lëshuan institucionet, pasi fillimisht pjesëtarët serbë të policisë refuzuan ta zbatojnë vendimin.

Meqë i dogjën mandatet në nivel politik, obligimi kushtetues thërriste për organizimin e zgjedhjeve. Duke përjashtuar vërejtjet për situatën e brishtë të sigurisë, presidentja Vjosa Osmani, e përkrahur nga Qeveria, shpalli datat 18 e 25 dhjetor si ditë zgjedhjesh të pjesshme për Mitrovicën e Veriut, Zubin Potokun, Zveçanin dhe Leposaviqin.

Edhe këtë vendim e shtyu qeveria e Kosovës, por nuk u shty dot kriza në veri, veçse u përshkallëzua.

Foto, ilustrim: Albanian Post.

E gjithë kjo, në një kohë kur evropianët u angazhuan për të gjetur një propozim për marrëveshje finale.

Propozimi fillimisht u trajtua si bastard, duke u publikuar vetëm në media e duke mos u pranuar si dokument evropian. Së pari u pagëzua nga Albanian Post si propozim franko-gjerman dhe pasi e pranuan më vonë të gjitha palët ekzistencën e tij, u birësua nga Bashkimi Evropian, duke aluduar se aty takonte si nismë nga fillimi.

Në momentin kur besohej se krizat akute do liheshin anash, për të vazhduar me propozimin dhe shpesën për një pajtim final, ose të paktën një hartë drejt atij pajtimi, krizat në terren veçse u shtuan, me palët duke akuzuar njëra tjetrën se nuk e duan marrëveshjen fare, prandaj e kthejnë në destruktivitet përmes veprimeve.

Aktualisht, tonet kanë prekur kulmin me zyrtarët serbë në krye me Aleksandër Vuçiç, që para publikut deklaruan se po e mendojnë rikthimin e trupave serbë në Kosovë duke i bërë një interpretim të çoroditur rezolutës 1244.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti e ka bërë të qatë se dëshirë e ka paqen, por kërcënimeve dhe aksioneve të Serbisë Kosova do t’u përgjigjet me aq forcë sa ka.

Bashkimi Evropian e ka gjetur të vështirë të arrijë të bindë palët, apo t’ua imponojë uljen në tavolinë për bisedime përfundimtare dhe në vazhdimësi kanë ndërhyrë temat ditore.

“Kemi mbetur në gjendje të menaxhimit të krizave të vazhdueshme”, pati thënë Josep Borrell, krye-diplomati evropian, në një nga konferencat e tij.

Në tensionet e rritura, mungesën e përgjigjes nga BE dhe potencialitetin e eskalimit, vizita e Këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, po mirëpritet si një çelës opsional zhbllokimi.

Ai në Ballkanin Perëndimor do qëndrojë deri me 17 dhjetor dhe viziton Kosovën dhe Serbinë.

Amerikani në agjendë ka diskutimet “për vazhdimin e bashkëpunimit për një sërë çështjesh, duke përfshirë përpjekjet e SHBA-së për të përmirësuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike, por edhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Agjenda zyrtare thotë se edhe në Serbi temat do ta kenë të ngjashme përmbajtjen.

Në të njëjtën kohë, BE po bën gati një takim mes Kurtit e Vuçiç me shpresë të mbahet para viti të ri.

Në ndërkohë, Veriu mbetet me disa rrugë të bllokuara, pasiguri të lartë dhe rrezik shpërthimi në çdo moment.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore