Lajme

Policia nuk e çonte dot Pantiç-in në qendër të paraburgimit – si u detyrua Prokuroria Speciale ta lirojë në shtëpi të arrestuarin për terrorizëm


Ilustrim

Arrestimi i ish-policit të Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, nga ana e Policisë së Kosovës, i cili akuzohej për sulme terroriste, kishte indinjuar serbët të cilët si shenjë revolte kishin bllokuar në disa pika rrugët në Veri të Kosovës, duke pamundësuar kështu lirin e lëvizjes.

Pamundësinë për të lëvizur lirshëm në katër komunat veriore të Kosovës si pasoj e barrikadave nuk e kishin vetëm qytetarët e rëndomtë të Kosovës, por edhe vetë shteti – në këtë rast Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës në momentin kur e ka arrestuar Dejan Pantiç-in, që akuzohet për sulm terrorist, do të duhej të dërgonte në qendër të paraburgimit siç është paraparë me ligj.

Por, as pas 20 ditësh kjo nuk u arrit, meqë rruga u bllokua dhe policia nuk kalonte dot nëpër barrikada.

Mu për këtë arsye tashmë i pandehuri mbahej në një kontejnerë të Policisë së Kosovës diku në pjesën veriore të Kosovës.

Madje nga pamundësia për të lëvizur lirshëm në Veri, Gjykata Themelore në Prishtinë ka mbajtur gjyqin paraprakë për shqiptimin e masës së paraburgimit ndaj Pantiç’it përmes video-lidhjes.

Prandaj, “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasiqë i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzoj të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit”, thuhet në sqarimin e Speciales.

Njoftimi nga kjo prokurori, ka ardhur pasi kanë vërshuar Kritika, duke filluar nga vetë kryeministri I Kosovës, për lirimin e çuditshëm të Pantiç-it.

“Edhe pse kundër të pandehurit ka ekzistuar vendim për caktim të paraburgimit, për shkak të rrethanave tashmë të njohura, i njëjti asnjëherë nuk u dërgua në paraburgim ashtu siç kërkohet me ligj”, thuhet në sqarimin e prokurorisë.

“Pas vizitave të ekipeve mjekësore të EULEX-it, të cilët kanë konstatuar gjendje jo të mirë  shëndetësore për të pandehurin, ata kanë rekomanduar trajtim në një qendër spitalore, megjithatë as ky rekomandim nuk u realizua”.

Duke parë këtë situatë, Prokuroria i ka bërë kërkesës Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe gjykatësi e ka zbutur masën nga paraburgimi me arrest shtëpiak.

Ndryshe Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë të mërkurë ka konfirmuar se, Dejan Pantiç, i cili u arrestua në pikë kalimin kufitar në Jarinjë, nga autoritetet kosovare nën dyshimin për sulme terroriste është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri.

Pantiç i cili deri të mërkurën ndodhej në paraburgim, tashmë do të mbrohet në arrest shtëpiak.

“Ka qenë kërkesë e Prokurorisë Speciale që masa e sigurisë t’i ndryshohet nga paraburgim në arrest shtëpiak dhe gjykata ka aprovuar këtë ndryshim”, ka thënë Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi për Albanian Post.

Çfarë po ndodh në Veri?

Situata e tensionuar në Veri të Kosovës që nga muaji nëntor është përshkallëzuar pas arrestimit të ish-policit me kombësi serbe, Dejan Pantiç, i cili dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Veri.

Ai ishte larguar nga radhët e policisë bashkë me afër 600 të tjerë meqë kolektivisht vendosën ta braktisin forcën policore me urdhër politik të Listës Serbe për të lëshuar institucionet në të gjitha nivelet.

Për të kundërshtuar arrestimin e tij, grupe të qytetarëve serbë në Veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.

Edhe pse institucionet e Kosovës thanë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në Veri, ata shtuan se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato.

Kjo krizë ka bllokuar edhe dialogun në Bruksel, i cili u duk se po futej në një fazë përfundimtare me propozimin franko-gjerman.

Aktualisht në Veri forca patrulluese është KFOR-i, derisa policia e Kosovës nuk mund të lëvizë vetë në vende të ndryshme pa asistencën e KFOR-it.

Për pasojë edhe një grup policësh mbetën të bllokuar në pikat kufitare në Veri për 14 ditë, derisa KFOR dhe EULEX ndihmuan zëvendësimin e tyre.

Pantiç do mbrohet në liri – Arsyeja për vendosjen e barrikadave u largua, a largohen tash edhe barrikadat?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore