Shqipëria

Po ndërtonin pa leje/ Arrestohen 4 persona në Fier


Në vijim të aksionit për ndërtimet pa leje, Policia e Fierit ka arrestuar në flagrancë, mëngjesin e 13 qershorit, katër persona.

Përkatësisht i janë vënë prangat shtetasi XH. H., 45 vjeç, banues në Tepelenë. 45-vjeçari ishte administrator i lokalit ku po ndërtonte objekt shtesë në atë ekzistuesin.

Gjithashtu shtetasit G. T., 47 vjeç, A. K., 41 vjeç dhe E. S., 28 vjeç, banues në Fier, po kryenin punimet pa leje në tokë publike plazh.

Këta të fundit u arrestuan në plazhin Pishë-Poros në Darzezë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.

Aksioni i policisë

Policia në Himarë, të shtunën e 12 qershorit, ka arrestuar në flagrancë shtetasin P. P., banues në fshatin Qeparo, pasi po ndërtonte pa leje brenda vijës së verdhë. Ky shtetas po ndërtonte objekt shtesë në banesën e tij.

Po ashtu në prangat e policisë kanë përfunduar dhe dy shtetas në Durrës. Këta po ndërtonin pa leje përgjatë vijës bregdetare.

Po ashtu të premten e 11 qershorit u arrestua në flagrancë një 52-vjeçar, pasi po ndërtonte pa leje brenda vijës së verdhë.

Çfarë ka njoftuar IKMT-ja?

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka njoftuar të premten e 11 qershorit se janë prishur 28 objekte pa leje. Përkatësisht 10 objekte në Velipojë dhe 18 në Ksamil.

Gjatë punës së IKMT-së, në të dy zonat nuk ka pasur incidente me banorët.

Që prej ditës së hënë, më 7 qershor, nga Velipoja në Ksamil, nisi aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje.

Ndërkaq, bëhet me dije se po punohet intensivisht me mjetet e IKMT-së dhe ushtrisë për pastrimin e inerteve.

Operacioni “Bregdeti Ynë”

Më herët, lajmin për prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë bregdetit e ka bërë me dije vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë një vizite në Shëngjin, më 1 qershor, ka deklaruar se forcat e Policisë së Shtetit dhe IKMT-së do të nisin operacionin “Bregdeti Ynë”. Ky projekt konsiston në fshirjen nga harta e bregdeteve çdo ndërtim pa leje.

Sipas kryeministrit, operacioni “Bregdeti Ynë” është një punë intensive. Ai gjithashtu e ka cilësuar bregdetin si “pasuria më e madhe që i është dhënë vendit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore