Lajme

Pezullohet votimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore deri në përgjigjen e Komisionit të Venecias


Kuvendi i Kosovës.

Pas kërkesave të opozitës, votimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është shtyrë për një afat të pacaktuar, deri në përgjigjen nga Komisioni i Venecias.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se do t’i drejtohet për opinion këtij Komisioni.

Me 79 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët kanë votuar për pezullimin e afateve të parapara me rregulloren e kuvendit lidhur me këtë projektligj, deri në një njoftim të radhës.

“Në linjë të zotimit të kryetarit votimi në parim për këtë projektligj do të ndodh pas kthimit të përgjigjes ose opinionit nga komisioni i Venedikut”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Seanca e re e Kuvendit të Kosovës do të fillojë në orën 14:15 ku në rend dite, ndër të tjera, është edhe debati parlamentar në lidhje me zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi si dhe shqyrtimi i parë i Projekt-kodit Civil të Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Qeverisjen tonë e kemi filluar me miratimin e koncept dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ndërsa në vitin 2021 e kemi përfunduar me projektligjin për byronë shtetërore i cili është sjell në Kuvendin e Kosovës për ta marrë miratimin e juaj sot”.

Sipas Kurtit, në Kosovë për më shumë se dy dekada ka sunduar paligjshmëria.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, u shpreh se do të dëshironte që këto që i thanë të ishin të vërteta.

“Ne analizë të projektligjit për këtë byro del se debati për konfiskimin e pasurisë do të vazhdojë, por lufta për konfiskimin e pasurisë nuk do të vazhdoj dhe nuk do të ndodh, mirëpo nuk kisha dashur të vazhdoj debati për këtë çështje, por kisha dashur që të filloj lufta për këtë çështje”.

Gjithashtu edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dhënë vërejtjet e tij në lidhje me Byronë për Konfiskimin për Pasurisë dhe ka kërkuar që propozimi për këtë Ligj të dërgohet për konsultim në Komisionin e Venecias.

“Kërkojmë që të mos jetë vetëm një individ por nga një grup, dhe ata të zgjidhen nga shumica e kualifikuar, jo nga një shumicë e thjeshtë”, tha kryetari i LDK-së.

Se situata aktuale në fushën e konfiskimit të pasurisë me origjinë jo legjitime nuk është e kënaqshme është theksuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Vendin të vitit 2019.

Në këtë raport, Komisioni Evropian ka nënvizuar se Kosova ka arritur progres shumë të vogël në fushën e konfiskimeve përfundimtare të pasurisë dhe e njëjta duhet të ndërmerr masa për të siguruar në mënyrë rigoroze se nuk ka ndërhyrje politike me aktivitetet operative të organeve të zbatimit të ligjit dhe të prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore