Lajme

“Projektligji për konfiskimin e pasurisë, do t’i jap fund parullës ironike “rroga e vogël, fitimi i madh”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Qeverisjen tonë e kemi filluar me miratimin e koncept dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ndërsa në vitin 2021 e kemi përfunduar me projektligjin për byronë shtetërore i cili është sjell në Kuvendin e Kosovës për ta marrë miratimin e juaj sot”.

Sipas Kurtit, në Kosovë për më shumë se dy dekada ka sunduar paligjshmëria.

“Herë zbrazëtirat ligjore e herë jo efikasiteti i organeve të drejtësisë kanë lënë mundësi për rritje të kriminaliteti, Ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetit janë pasuruar duke keqpërdorur taksat e qytetarëve. Nëpërmjet këtij projektligji në vendin tonë nuk do të dominoj më parulla ironike “rroga e vogël, fitimi i madh”.

Kryeministri, tutje ka sqaruar këtë projektligj.

“Projektligji për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do t’i heq pengesat për konfiskim e pasurisë së pajustifikueshme, kjo byro do të jetë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nëpërmjet konfiskimit të pajustifikushme”.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi ka prezantuar para deputetëve Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Sipas tij, ky projektligj ka plotësuar kushtet për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.

“Fenomeni i pasurimit të shpejtë mbillte hapi te qytetarët”, tha Rrustemi, duke shtuar se që dy dekada korrupsioni ishte i lartë ndërsa sundimi i ligjit është prioritet.

Ai shtoi se sipas tij, “konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme si koncept është veprimtari që tregon gatishmërinë e institucioneve për të siguruar qytetarët se pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme do t’u kthehet atyre dhe kjo pasuri nuk do të përdoret për të shtuar nivelin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Ndërkaq, e ka konsideruar detyrë të shtetit të së drejtës dhe nevojë e shoqërisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, u shpreh se do të dëshironte që këto që i thanë të ishin të vërteta.

“Ne analizë të projektligjit për këtë byro del se debati për konfiskimin e pasurisë do të vazhdojë, por lufta për konfiskimin e pasurisë nuk do të vazhdoj dhe nuk do të ndodh, mirëpo nuk kisha dashur të vazhdoj debati për këtë çështje, por kisha dashur që të filloj lufta për këtë çështje”.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Ndërsa shtoi se sipas tij, lufta për konfiskimin e pasurisë nuk do të ndodhë.

“E para, cenohet kapitulli i dytë i Kushtetutës, mbrojtja e pronës dhe e drejta në pronë sepse Byroja shtrin kompetencat e veta deri në cenimin arbitrar të pronës”.

Edhe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dhënë vërejtjet e tij në lidhje me Byronë për Konfiskimin për Pasurisë dhe ka kërkuar që propozimi për këtë Ligj të dërgohet për konsultim në Komisionin e Venecias.

“Kërkojmë që të mos jetë vetëm një individ por nga një grup, dhe ata të zgjidhen nga shumica e kualifikuar, jo nga një shumicë e thjeshtë”, tha kryetari i LDK-së.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Ai theksoi se janë pro miratimit të këtij Ligji dhe se ata si LDK dalin vullnetarë t’u verifikohet pasuria, por me disa ndryshime.

“I gjithë grupi ynë, ofrohemi vullnetar që ky verifikim të nis nga ne. Meqë jemi të zëshëm që e mbështesim idenë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, meqë s’kemi çfarë të fshehim dhe jemi të hapur, më lejoni të jap vërejtjet në lidhje me këtë”.

Ndërsa, tha se ky Ligj ka përplasje me Kushtetuesen e Kosovës dhe nëse miratohet kështu, ai do të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Ky Projektligj në formatin e tanishëm do të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese, dhe ky nuk duhet të jetë qëllimi juaj sot. Dërgojeni fillimisht në Komisionin e Venecias për mendim, ky për neve është parakusht, e nëse nuk e dërgoni atëherë tregoni se nuk e keni përnjëmend”.

Se situata aktuale në fushën e konfiskimit të pasurisë me origjinë jo legjitime nuk është e kënaqshme është theksuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Vendin të vitit 2019.

Në këtë raport, Komisioni Evropian ka nënvizuar se Kosova ka arritur progres shumë të vogël në fushën e konfiskimeve përfundimtare të pasurisë dhe e njëjta duhet të ndërmerr masa për të siguruar në mënyrë rigoroze se nuk ka ndërhyrje politike me aktivitetet operative të organeve të zbatimit të ligjit dhe të prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore