Shqipëria

Pezullimi i lejes së drejtimit; Të huajt paguajnë dyfish gjobën ose i kalon Prefekturës


Gati 100 mijë shtetas të huaj kanë kanë hyrë në Shqipëri, gjatë sezonit turistik veror 2021.

Këtë e ka bërë të ditur dhe më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në median sociale Facebook.

“Nga data 1-15 gusht kanë hyrë 859 mijë e 316 shtetas të huaj, që janë 4.5% më shumë se e njëjta periudhë e 2019, domethёnё para pandemisë”, ka shkruar Rama, bashkangjitur një fotografie tё një panorame nga avioni, me imazhe tё jugut tё Shqipërisë.

Fluksin e shtetasve të huaj e kanë ndjerë dhe drejtuesit e mjeteve, kryesisht të segmenteve në drejtim të zonave bregdetare.

Shumë drejtues mjetesh janë ndëshkuar gjatë 48 orëve të fundit nga policia rrugore, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Kjo si shkak i fluksit të shtuar në akset rrugore, në drejtim të zonave bregdetare dhe në kthim.

Policia e Shtetit ka arrestuar në flagrancë 21 drejtues mjetesh dhe motomjetesh. Gjithashtu ka pezulluar 68 leje drejtimi, nga të cilat 36 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 32 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Procedura për të marrë sërish lejen e drejtimit jo-shqiptare

Me pezullim të lejes së drejtimit është dënuar dhe një shqiptar me nënshtetësi amerikane, A. Gj., 25-vjeç, i cili tha për Albanian Post (AP), se “emigrantët shqiptarë nuk janë të informuar se si veprohet në të tilla raste”.

Procedurat që ndjek Policia Rrugore për të gjithë shtetasit që janë të pajisur me leje drejtimi jashtë Republikës së Shqipërisë, për AP-në, i ka shpjeguar Komandanti i Shërbimeve në Qarkullimin Rrugor, Fatmir Salla.

Sipas tij, “çdo shtetas i cili mbart një leje drejtimi të huaj, duhet të paguajë dyfishin e gjobës maksimale, kur i tërhiqet leja e drejtimit”.

“Ai e ka të drejtën ta bëjë pagesën në vend, jo te punonjësi i policisë, por te posta”, ka sqaruar lexuesit e AP-së, komandanti  i shërbimeve.

Ndërsa shpjegoi se nëse e paguan në vend, punonjësi i policisë nuk e privon nga leja e drejtimit, por ia kthen drejtuesit.

Nëse drejtuesi i mjetit nuk pranon të bëjë pagesën, sipas Sallës, çështja i delegohet Prefekturës, ku “Këshilli i Qarkut merr masat e nevojshme për të proceduar më tej”.

“Pasi merret vendimi te Këshilli i Qarkut, patenta dërgohet në Zyrën Konsullore te Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ). Më pas, zyra përgjegjëse e dërgon lejen e drejtimit në vendin e origjinës (aty ku është marrë leja e drejtimit, ose ku banon drejtuesi i lejes së drejtimit)”.

Kjo vlen për të gjithë shtetasit apo individët që kanë një leje drejtimi të lëshuar jo në Republikën e Shqipërisë, sipas sqarimit të Fatmir Sallës.

Sezoni veror 2021 në Shqipëri

Sipas qeverisë shqiptare, sezoni veror 2021 u parashikua të hapet me masa të lehtësuara kundrejt pandemisë së COVID-19.

Kjo me lehtësimin gradual të masave dhe hapjen e vaksinimin masiv për të gjithë popullsisë.

Lajmin për herë të parë, e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili tha se “në verë do t’i rikthehemi përsëri jetës tonë të dëshiruar”.

Gjithashtu edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, së bashku me ministrin e Turizmit, Blendi Klosi, gjatë një takim me Task-Forcën dhe operatorët turistikë në Golem, shprehën njëzëri se sezoni i vitit 2021 do të jetë “Covid-Free”.

Shqipëria hapi çdo portë hyrëse për turistët. Ashtu sikundër një vit më parë, vizitoret që zgjedhin vendin tonë nuk kanë nevojë për tampon apo pasaportë vaksinimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore