Lajme

Petar Petkoviç vjen – me leje – në Kosovë


Petar Petkoviç, shef i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, pritet të vijë për vizitë dyditore në Kosovë, raporton Agjencia shtetërore e lajmeve serbe Tanjug.

“Petkoviç do të vizitojë komunën e Zveçanit dhe do të bisedojë me punëtorët mjekësorë në qendrën shëndetësore atje, dhe pastaj do të vizitojë punimet për ndërtimin e shtëpisë së familjes 12 anëtareshe Vukoviç, e cila po ndërtohet me fondet e Zyrës për Kosovën”, raporton Tanjug.

Megjithatë për këtë vizitë në Kosovë, Petkoviç ka marrë leje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, ministri në detyrë i kësaj ministrie Besnik Tahiri.

“Po ka marrë leje te ne për vizitë në Kosovë”, tha shkurt Tahiri.

Ndryshe në vitin 2018, paraardhësi i Petkoviç-it, ish-shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, nuk kishte përfillur moslejimin për të hyrë në Kosovë, prandaj njësitë speciale të policisë së Kosovës e kishin arrestuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore