Shqipëria

“Përplasja” me gazetarin, Rama: Nuk mund ta legjitimojmë lirinë e shpifjes dhe fyerjes


“Jemi tërhequr nga përpjekja për ta normuar ligjërisht lirinë e shpifjes dhe të fyerjes, që në epokën e rrjeteve sociale ka marrë përmasa katastrofike!”

Ky ka qenë mesazhi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke iu përgjigjur zërave kritikues për sa i përket incidentit që ndodhi dy ditë më parë me një gazetar, ku Rama i tërhoqi vërejtje dhe nuk iu përgjigj pyetjes së tij.

Sipas tij këtë gjë, “nuk e kemi bërë as nga frika, as nga presionet po si reagim konstruktiv ndaj kërkesës së komunitetit mediatik për vetërregullim”.

“E përshëndes si shprehje lirie sulmin e disave, që në emër të lirisë së medias kërkojnë legjitimim për lirinë e shkeljes së normave etike deri brenda konferencave të mia për shtyp, sepse jashtë tyre tanimë kjo liri është e legjitimuar plotësisht”, vijon Rama në median sociale Twitter.

Mesazhi i tij është i qartë: “Kërkesa s’mund të plotësohet”.

Kreu i qeverisë shton se vetërregullimi është e vetmja e zgjidhje.

“Ku është vetërregullimi? Nejse, do ta presim pa shpresë se do vijë!”.

Ai thekson se sa të jetë në krye të qeverisë nuk ka për të ndodhur që të legjitimohet liria e shkeljes së normave etike sy më sy “në praninë time”.

“E kam ndryshuar ka kohë qasjen time, jo se janë zhdukur kazanët po se kam reaguar ndaj kritikave”, ravijëzon Rama.

Sa i përket kësaj numri një i qeverisë thotë se asgjë s’ka ndryshuar.

“Përkundrazi, megjithëse asnjë gazetari e asnjë mediaje nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë nga kjo qeveri dhe megjithëse disponimi ndaj pyetjeve e kërkesave për informacion ka qenë maksimal, janë shtuar shpifjet e është ulur rankimi”, shkruan ai në Twitter.

Në përfundim kreu i qeverisë shqiptare iu drejtohet gazetarëve që, “shpifni, gënjeni, sajoni, shkruajeni e fliteni shqipen keq sa të doni, sepse askush nuk do t’ju thotë ’plaç’, po mos prisni që dhe kur vini për të pyetur mua të ushtroni publikisht në mënyrë të përsëritur lirinë e shkeljes së etikës dhe përsëri të jeni të mirëseardhur!“

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore