Lajme

Përjashtimi nga “Defender Europe”, kontratat e nënshkruara nga ministria – Arsyet që shtyn Mehajn të jap dorëheqje


Foto: Albanian Post

Këtë të marte u konfirmua se Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, të cilën e mbante që nga 22 marsi i vitit 2021.

Arsyetimi i Mehajt ishte se një gjë të tillë e ka bërë për shkaqe familjare, por burime të Albanian Post brenda ministrisë së Mbrojtjes bëjnë me dije se pakënaqësitë që kishte Mehaj me zhvillimet që kanë ndodhur kohëve të fundit në Kosovë e kanë shtyrë atë që ta marr një vendim të tillë.

“Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar Kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”, shkroi Mehaj ndër të tjera në Facebook.

Në fakt, sipas burimeve të AP-së, Mehaj e kishte ofruar dorëheqjen e tij tek kryeministri Albin Kurti, pasi që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ishte përjashtuar nga stërvitja më e madhe ushtarake “Defender Europe ‘23”, më 30 maj, kjo siç thoshte ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, si masë e parë ndaj Kosovës për shkak të refuzimit të qeverisë për ta de-eskaluar situatën në Veri, pas tensioneve të krijuara atje, që nga 26 maji.

Mirëpo, AP merr vesh se kjo nuk ka qenë e vetmja arsye që e kanë shtyrë Mehajn që ta marrë një vendim të tillë.

Mehaj ka pasur pakënaqësi me disa kontrata që janë nënshkruar në këtë dikaster.

Njëra nga to ka qenë edhe kontrata për blerjen e doneve Bayraktar TB-2, të cilët Kosova i ka blerë nga Turqia, ndërsa blerja e tyre u bë publike nga kryeministri Kurti më 16 korrik.

Armend Mehaj në qeverinë e dytë të Albin Kurti, të votuar me 22 mars të vitit 2021, kishte ardhur si prurje nga jashtë. Ai kishte shërbyer si ushtarak në Forcat e Armatosura të Norvegjisë – aty ku edhe kishte jetuar – ku kishte marrë pjesë në shumë misione ndërkombëtare.

Në këtë pozitë, Mehajn do ta pasojë kolonel Ejup Macedonci, i cili para pak kohësh doli në pensionim të parakohshëm.

Kosova ishte përjashtuar nga stërvitja më e madhe ushtarake “Defender Europe ‘23”, më 30 maj.

Tensionet e krijuara në Veri, si pasojë e vendimit të qeverisë për t’i instaluar në zyrat e tyre kryetarët e komunave Veriore – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – kishin nxitur reagime të ashpra të bashkësisë ndërkombëtare, të cilat e bënin përgjegjës Prishtinën për tërë situatën e krijuar.

Ata kërkonin që Kosova menjëherë të ndërmarrë masa për ta shtensionuar situatën atje. Refuzimi i Qeverisë për ta bërë një gjë të tillë, atë kohë do të krijonte pasoja për Kosovën.

Ambasadori amerikan me 30 maj do të tregonte se stërvitja ushtarake “Defender Europe ‘23”, për Kosovën kishte përfunduar; shkak situata e krijuar në Veri.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës”.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për ‘Defender Europe ’23’ dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”, thoshte Hovenier.

Përjashtimi nga “Defender Europe” nuk kishte qenë ndëshkimi i vetëm për Kosovën për shkak të situatës së krijuar në Veri.

Refuzimi i Kosovës për ta pranuar planin e de-eskalimit të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga ShBA-të, kishte bërë që Unioni të vendoste masa ndëshkuese për Prishtinën, si në rrafshin politik dhe në atë financiar.

Vetëm pas këtyre masave, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, do të pranonte planin e de-eskalimit.

Kjo ndodhi më 10 korrik, në takimin në mes të kryenegociatorit të Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Bratislavë të Sllovakisë.

Në marrëveshjen e publikuar me 11 korrik nga Qeveria e Kosovës, bëhej me dije se Prishtina ishte pajtuar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës policore për 25 për qind në afërsi të objekteve komunale në komunat Veriore, përkatësisht në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, çka edhe është duke u zbatuar, deri më tani është tërhequr 50 për qind e njësive policore.

Pos kësaj, aty ishte paraparë që të mbahen zgjedhje të reja në ato katër komuna, dhe kjo të bëhej menjëherë pas stinës së verës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore