Lajme

Mehaj njofton dorëheqjen, rrëfehet për punën e tij si ministër


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pas dorëheqjes nga pozita e kreut të këtij dikasteri përmes një shkrimi është rrëfyer për punën ne tij gjatë këtyre dy viteve.

Mehaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se për të ka qenë “nder dhe privilegj” ushtrimi i kësaj detyre.

“Sot, më 08 gusht 2023, në mirëkuptim dhe mirëbesim të plotë, me kërkesën time, Kryeministri Albin Kurti më ka liruar nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës!”.

“Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar Kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”.

Ai ka thënë se për të ky ka qenë një “rrugëtim i gjatë” me sfida të shumta, e po ashtu me përpjekje.

“Ka qenë një rrugë e gjatë dhe me plot sfida, me shumë punë dhe përpjekje, me përgjegjësi të lartë përballë detyrave dhe me vetëdije politike përballë historisë. Por në këtë rrugëtim, kishim një vizion të përbashkët politik me Kryeministrin Albin Kurti dhe me ministrat e Qeverisë së Kosovës, të cilët dua t’i falënderoj për punët e bëra bashkë deri sot si drejtues ministrish në kabinetin qeveritar”.

Teksa e ka cilësuar vetën me fat në periudhën kur është emëruar ministër i Mbrojtjes, pasi sipas tij Forca e Sigurisë së Kosovës ka qenë duke kaluar në fazë të transformimit.

“Rruga që e kam ndjekur duke e drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes, është e dëshmuar dhe e evidentueshme, bashkë me të gjitha të arriturat, sukseset dhe përparimet që e kanë shoqëruar këtë institucion”.

“Kam patur fatin që të vihem në krye të Ministrisë së Mbrojtjes në një kohë kur Forca e Sigurisë së Kosovës, është duke kaluar nëpër një fazë të transformimit sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit”.

“Për ushtrinë tonë, kjo është një periudhë shumë e rëndësishme historike, gjatë të cilës FSK-ja do t’i ngritë kapacitetet ushtarake në nivele të plota për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës”.

Mehaj për emërimin e Ejup Maqedoncit, në këtë pozitë ka thënë se është zgjidhje e duhur.

“Jam i sigurtë që Kryeministri Kurti duke e emëruar Ejup Maqedoncin në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, e ka zgjedhur njeriun e duhur për këtë detyrë: një person profesionist, patriot dhe të dëshmuar”.

Shkrimin tutje ai e ka vazhduar duke rrëfyer për punën e tij si ministër.

“Brenda dy viteve të para të qeverisjes tonë, e kemi dyfishuar buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, nga 64 milionë euro në 123 milionë euro, ndërsa i kemi rekrutuar edhe 1836 ushtarë të rinj. Më 2021 e kemi realizuar 96 % të buxhetit vjetor, kurse më 2022 ky realizim ishte 95 %”.

“Kurse këtë vit, deri më tani, e kemi realizuar 57 % të buxhetit vjetor. I kemi shtuar trajnimet dhe shkollimet e ushtarëve dhe oficerëve për mbi 16 herë, duke i dërguar nëpër akademi ushtarake në ShBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Turqi, Shqipëri, Kroaci etj”.

Sipas tij, përveç shtimit numerik të pjesëtarëve, tani Forca ka më shumë dije dhe profesionalizëm si dhe personel të trajnuar në përputhje me doktrinën e Forcës dhe sipas standardeve të NATO-s.

“Kemi bërë miliona euro blerje të armatimit dhe pajisjeve, për herë të parë përmes marrëveshjesh të drejtpërdrejta ndërshtetërore, duke i shmangur dhe parandaluar keqpërdorimet e mundshme”.

“Kemi arritur që për më pak se tre vite, ta pajisim Forcën e Sigurisë së Kosovës me sisteme të reja të armatimit, duke përfshirë sisteme të mbështetjes me zjarr dhe sisteme të mbështetjes ajrore”.

“E kemi përfshirë Kosovën si vend pritës përveçse pjesëmarrës, në ushtrimet e mëdha ndërkombëtare “Defender Europe 2021” dhe “Defender Europe 2023”, pas të cilave Forca e Sigurisë së Kosovës ka validuar njësi këmbësorie deri në nivel regjimenti”.

Ndërsa, ka përmendur edhe ushtarët e FSK-së që kanë qenë pjesëmarrës në misione të ndryshme gjatë udhëheqjes së tij.

“Për herë të parë në historinë e FSK-së, ushtarët tanë kanë qenë pjesë e misioneve të mbështetjes së paqes në Lindje të Mesme dhe në Ishujt Falkland, përkrah ushtrive partnere të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe”.

“E kemi zbatuar suksesshëm dhe për periudha të gjata kohore misionin tonë në mbështetje të autoriteteve civile, gjatë pandemisë së virusit COVID-19 dhe operacionit për strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë. Profesionalizmi ynë u dëshmua maksimalisht edhe gjatë operacionit të kërkim shpëtimit, në ndihmë popullit turk, pas tërmetit të 6 shkurtit 2023”.

Gjatë këtyre dy vjetëve ai pohon se janë fuqizuar raportet edhe me vendet aleate.

“I kemi shtuar kontaktet dhe i kemi fuqizuar raportet e dyanshme me partnerët dhe aleatët tanë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Turqinë, Italinë, Shqipërinë, Kroacinë dhe me vende të tjera të NATO-s, ku Kosova synon të anëtarësohet si shteti i 33-të anëtar”.

“Kemi nisur edhe shumë e shumë projekte dhe programe, që ndër vite do t’i prodhojnë efektet e tyre progesiste për forcimin e FSK-së, për çka i kemi angazhuar të gjitha burimet njerëzore dhe materiale në dispozicion, duke i menaxhuar në mënyra sa më efikase me qëllim të maksimalizimit të efektshmërisë”.

Pritshmëritë e Mehaj, janë që FSK-ja ka edhe një rrugëtim të gjatë përpara vetës.

“Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Republikën e Kosovës e presin edhe shumë punë dhe procese, në një rrugë të gjatë drejt forcimit të shtetit tonë dhe garantimit të sigurisë së plotë të tij”.

“E në këtë rrugë, mua do të më gjeni gjithmonë duke bashkudhëtuar me shokë, në përpjekjen tonë të përbashkët për atdheun, për Kosovën, për kombin shqiptar”.

Ministër i ri i Mbrojtjes është emëruar Ejup Maqedonci, të martën e 8 gushtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore