Lajme

Përfaqësuesi Special i OSBE-së: Mund të shohim skena të pakëndshme në rrugët e veriut të Kosovës


Michael Link

Përfaqësuesi Special i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE) për Evropën Juglindore, Michael Link, të mërkurën dënoi ashpër dhunën e ushtruar nga protestuesit serbë kundër qytetarëve, mediave, autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe paqeruajtësve të KFOR-it në veri të Kosovës.

Link, i cili është edhe deputet i Parlamentit të Gjermanisë (Budestag), nëpërmjet një deklarate për media, kujtoi se dy muaj më parë kishte mirëpritur Marrëveshjen e Ohrit (18 mars) mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa tani “mund të shohim skena të pakëndshme në rrugët e veriut të Kosovës”.

“Dy muaj më parë, mirëprita progresin që u arrit në takimin e nivelit të lartë në Ohër në negociatat Prishtinë-Beograd për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, por fatkeqësisht këto ditë mund të shohim skena të pakëndshme në rrugët e veriut të Kosovës”.

“E drejta themelore për të protestuar duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe pa ushtruar dhunë ndaj autoriteteve të zbatimit të ligjit, të cilat nga ana e tyre nuk duhet të përdorin forcë të tepruar. Media duhet të jetë në gjendje të raportojë në mënyrë të papenguar”, tha Link.

OSBE-ja dhe Asambleja e Parlamentare mbështesin përpjekjet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në arritjen e përparimit në reformat dhe demokratizimin, pohoi Link, ndërsa shtoi se të gjithë aktorët të përfshirë në ngjarjet e fundit të punojnë për de-përshkallëzimin e situatës.

“E drejta themelore për të protestuar duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe pa ushtruar dhunë ndaj autoriteteve të zbatimit të ligjit, të cilët, nuk duhet të përdorin forcë të tepruar. Media duhet të jetë në gjendje të raportojë në mënyrë të papenguar”, theksoi ai.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten e 26 majit realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera të QUINT-it (Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe), e kanë bërë fajtore Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore