Përballje

Përballje sheikësh në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve


Gjysmëfinalja e dytë e edicionit 2020/21 në Ligën e Kampionëve, ka vënë përballë dy nga klubet më të pasura në botë, Paris Saint Germain dhe Manchester City.

PSG do të jetë nikoqir i Mancheter City-t në ndeshjen e parë gjysmëfinale mes tyre, e cila do të zhvillohet këtë të mërkurë me fillim nga ora 21:00, në stadiumin “Parc des Princes” të Parisit.

Ekipi i Parisit u kualifikua në gjysmëfinale, pasi e mposhti gjigantin bavarez, Bayern Munich vetëm falë më shumë golave të shënuar në fushën kundërshtare, pasi që rezultati pas dy takimeve ishte 3:3.

Në anën tjetër, Manchester City, siguroi kualifikimin tutje, pasi e mposhti klubin tjetër gjerman, Borussia Dortmund me rezultat të përgjithshëm 4:2.

Ekipi nga kryeqyteti francez është duke luftuar për dy fronte, në ligën franceze që po zhvillohet një garë e ashpër për titullin kampion dhe në Champions Leauge që do ta kërkojë finalen pikërisht kundër City-t.

Ndërsa për skuadrën e Guardiolas, Liga e Kampionëve mbetet lufta kryesore e këtij sezoni, pasi që Permier Ligën angleze thuajse e kanë siguruar dhe Kupën “Carabao” e fitoi të dielën pasi mposhti Tottenham-in në finale.

Klubi parisien në rast të kualifikimit në finale, do të ishte hera e dytë radhazi, pas asaj të vitit të kaluar që u mposht nga Bayerni, ndërsa për skuadrën e City-t do të ishte suksesi i parë i tyre në garën më prestigjioze për klube në Evropë.

Sa i përket ndeshjeve mes tyre, dy skuadrat janë takuar dy herë në Ligën e Kampionëve në fazën e çerekfinales në vitin 2016, ku Manchester City fitoi në Angli me rezultat 1:0, ndërsa ndeshja në Paris përfundoi 2:2, me ç ‘rast, Skuadra nga Manchesteri u kualifikua tutje.

Trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino, nuk do të ketë në dispozicion vetëm spanjollin Juan Bernat, derisa homologu i tij, Pep Guardiola, nuk do të ketë asnjë mungesë.

Formacionet e mundshme:

Paris Saint Germain (4-2-3-1): Navas; Florenzi, Marquinihos, Kimpembe, Diallo; Gueye, Paredes; Di Maria, Verratti, Neymar; Mbappe

Manchester City (4-3-3): Ederson; Walker, Laporte, Stones, Cancelo; Rodri, Gundogan, De Bruyne; Mahrez, Silva, Jesus.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore