Lajme

Për helmimin e mbi 190 vetave në Han të Eelezit e Kaçanik dihet shkaktari, është i njëjti si në Deçan


Vetëm brenda një muaji, në dy komuna të Kosovës janë helmuar numër i madh i qytetarëve duke u detyruar që të marrin shërbime në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunat e tyre.

190 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në komunën e Hanit të Elezit, si pasojë e një helmimi që dyshohet se ka ardhur nga uji.

Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e Shëndetësisë në komunën e Hanit të Elezit, Kimete Kuka Hasallari, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

“Numri total është 190 pacientë që janë trajtuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, gjendja e pacientëve është stabile dhe ende nuk kemi rezultate konkrete nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK)”.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit.

Më 7 korrik, me një situatë krejtësisht të ngjashme është ballafaquar edhe komuna e Kaçanikut, duke u helmuar pothuajse 70 persona.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi.

“Përafërsisht përmes rezultatit që marrim nga QKMF-ja në Kaçanik dikund rreth 50 pacientë deri në 70 kanë kërkuar ndihmën mjekësore”, ka thënë Ilazi për AP.

Por, ku qëndron problemi?

Luan Hasanaj nga Organizata “Ta pastrojmë Kosovën”, në një bisedë për Albanian Post shprehet se e tërë kjo situatë është krijuar si pasojë e neglizhencës së institucioneve ndaj pastrimit të ujërave në mënyrë të duhur.

“Për shembull pothuajse në të gjitha lokalitetet ku bëhet furnizimi me ujë që janë burimet e lumenjve edhe liqenet mungon kujdesi adekuat për to, duke filluar që nga siguria”, thotë Hasanaj për AP.

Si njohës i kësaj fushe, ai rekomandon një zgjedhje që të paktën do të ndihmonte për këtë problem.

“Nëse ne shkojmë afër burimeve të ujit prej të cilave bëhet furnizimi me ujë të pijes aty e shohim që shumë pak ka kontroll edhe nuk ka persona që qëndrojnë aty dhe kujdesen që t’i ruajnë    ato lokacione qoftë edhe fundi fundit duke i vendosur disa kamera, nga të cilat do të monitorohej burimi prej të cilit bëhet furnizimi me ujë të pijes”.

Foto: Ilustrim.

Ai bën të ditur se derdhja e ujërave të zeza në një numër të liqeneve të Kosovës, ka krijuar situata të tilla problematike.

“Nëse flasim për liqene ne e shohim qoftë Batllava, qoftë Badovci po edhe Radoniqi, domethënë ne kemi fatkeqësisht edhe derdhje të ujërave të zeza në to. Pra sado që mund tw filtrohet ujw në momentin që ne kemi ndotje prej kanaleve me ujëra të zeza, kjo tregon që rreziku është shumë evident”.

“Institucionet prioritet duhet ta kenë pastërtinë e këtyre burimeve prej të cilave vjen furnizimi me ujë për qytetarët. Me informatat që i kam nuk është që kam parë qw diçka po trajtohet edhe po ndërmerr dikush diçka në këtë drejtim”.

Ndërkaq për rastet e fundit, Hasanaj konsideron se është thirrja finale që po ju bëhet institucioneve.

“Është duke u punuar shumë pak dhe më të vërtetë është rasti i fundit që të fillohet të bëhen hapa konkret që kanë të bëjnë me përmirësimin e gjendjes së ujërave në Kosovë”.

Në Kaçanik helmohen rreth 70 qytetarë nga uji i pijes

Në komunën e Kaçanikut, Albanian Post kishte kontaktuar edhe infermieren në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Shahadije Raka, e cila kishte bërë të ditur se ky problem është paraqitur qe shumë ditë.

“Prej 4 korrikut filluan të paraqiten, por me 5 korrik është lajmëruar rasti i parw i helmimit. Pasi nga një familje u paraqiten tre deri në katër persona me vjellje dhe barkqitje dhe kjo ishte situata. E lajmëruam drejtorin që nuk është në rregull në këto tri lagje këta pacientë të jetë me simptoma të ngjashme”.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kaçanik.

“Atë natë i kemi pasur mbi 100 pacientë të gjithë kanë qenë me simptoma të njëjta, vjellje, barkëqitje aty ish në pyetje veç ndonjë helmim”.

Ministria e Shëndetësisë furnizon me barna Hanin e Elezit

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar, kanë bërë të ditur se kanë furnizuar me barna në QKMF-në, në Han të Elezit, në kuadër të kërkesave për ndihmë emergjente, sa i përket dyshimeve për helmim nga uji.

MSh gjithashtu ka njoftuar se ka furnizuar edhe QKMF-në në Kaçanik pasi që të njëjtit janë përballur me të njëjtën situatë sikurse në Han të Elezit.

“Nga QKUK për QKMF Hani i Elezit (Furnizimi me datën 12.07.2022):  NaCl 500ml  500 copë, Hyoscine amp. 60 copë, Metoclopramide amp. 150 copë”.

“Nga SP Ferizaj për QKMF Kaçanik (Furnizimi me datën 08.07.2022): Ringer sol  500 copë, NaCl 500ml  700 copë, Kanilla 22G   1000 copë dhe Hyoscine amp. 120 copë”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, është thënë se janë duke testuar mostrat e ujit.

“Janë marrë mostrat e ujit edhe për analizë bakterore, ndërsa ekipi i Epidemiologjisë së bashku me ekipin e DSHMS të Hanit të Elezit janë në terren duke anketuar personat të cilët janë paraqitur në QKMF”.

“Në momentin që IKSHPK i ka rezultatet e para, publiku do të informohet në kohë reale”.

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, të martën ka diskutuar për rastet e helmimit të banorëve në komunën Kaçanikut dhe asaj të Hanit të Elezit.

Nga ky komision kanë marrë vendim që të dy komunat të vizitohet të premten e 13 korrikut.

Çka kishte ndodhur në Deçan?

Më 10 korrik të 2021, qindra qytetarë të fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri, ishin paraqitur në qendrën emergjente në Deçan me simptoma të helmimit.

Brenda dy ditësh, 428 qytetar kishin kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan.

Ndërsa, brenda katër ditësh numri i qytetarëve që kërkuan ndihmë kishte shkuar në 1 mijë e 500.

Pas kësaj situate, Komuna e Deçanit kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Kurse dy qytetarë të cilët ishin lajmëruar me simptoma të helmimit në emergjencë, vdiqën. Por, më pas Instituti i Mjekësisë Ligjore konstatoi se vdekja e tyre nuk u shkaktua nga helmimi por, nga probleme të tjera shëndetësore.

Ndërsa vetëm pas raportimit të Albanian Post se pusetat e ujit ishin të pa-sigurta, vëmendja e “institucioneve laboratorike” u rikthye sërish tek uji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore