Lajme

PDK fiton betejën me ZRRE-në, gjykata bllokon vendimin për shtrenjtimin e rrymës


Ilustrim

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në një konferencë për media ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës, pas padisë së PDK-së.

“Sot është një ditë jashtëzakonisht e mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, PDK përmes një ankese në Gjykatën Themelore të Prishtinë ka arritur që ta pezullojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike në 100 për qind”, ka thënë Tahiri.

Gjykata, sipas Tahirit ka bërë jashtëzakonisht mirë që ka marrë një vendim në favor të interesit publik të Kosovës.

Ai më tej ka bërë thirrje që vendimi i Gjykatës të respektohet nga vetë ZRRE si, dhe siç e quajti ai të angazhuarëve në procesin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike –  Kurti e Osmani.

“Prandaj i bëjmë thirrje ZRRE-së dhe të gjithë akterëve të cilët kanë qenë të angazhuar në shtrenjtimin e energjisë elektrike, Kryeministrit Kurti, Presidentes Osmani, Lëvizjes Vetëvendosje, ta respektojnë vendimin e gjykatës në pezullimin e implementimit të vendimit të ZRRE-së”.

“Në vendimin e Gjykatës mes tjerash thuhet se ky vendim cenon interesin e qytetarëve të Kosovës dhe dëmton rëndë familjet dhe ekonomitë familjare në vendin tonë”, ka shtuar ai.

E, në anën tjetër, Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri dhe Ndërmarrësi, tha se ky vendim i Gjykatës dëshmon se Qeveria ka marrë vendime shumë të dëmshme për qytetarët në kohën e krizës energjetike.

“Vendimi i Gjykatës ka rilegjitimuar të gjitha kërkesat e Grupit Parlamentar të PDK-së për ndërhyrjet politike dhe pabarazinë në procesin e faturimit. Ky vendim I Gjykatës është argument shtesë për themelimin sa më parë të Komisionit Hetimor Parlamentar për ta hetuar gjithë keqmenaxhimin e qeverisë gjatë krizës energjetike”, tha Shala.

Nga e majta: Ferat Shala, Abelard Tahiri dhe Blerand Stavileci, në një konferencë për media, pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për të pezulluar përkohësisht vendimin e ZRRE-së

Ndryshe PDK, kishte njoftuar se më 18 mars të këtij viti ka paditur vendimin e ZRRE-së, me të cilin ishin aprovuar tarifat e reja të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

Bazuar në njoftimin e PDK-së, thuhej se vendimi i ZRRE-së meriton shqyrtim gjyqësor në gjykatën kompetente për faktin e mos përfshirjes në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike – të katër komunave veriore, duke diskriminuar kështu qytetarët e pjesës tjetër të vendit.

ZRRE, të martën e tetë shkurtit me pesë vota për dhe asnjë kundër kishte marrë vendimin për shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë orë për një muaj.

Bazuar në vendimin e ZRRE-së tarifat e reja do të fillonin aplikimin nga 9 shkurti deri më 31 mars të vitit 2023.

Ky vendim i ZRRE-së, ishte kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare dhe organizatat e shoqërisë civile.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore